Ambasadori britanik: Kosova ka nevojë urgjente për stabilitet politik

Prishtinë, 10 mars 2026 – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Presidenca njoftoi se në këtë takim është diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend dhe për rëndësinë e stabilitetit institucional.

Sipas njoftimit, Presidentja Osmani ka theksuar përkushtimin e institucioneve të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Mbretërinë e Bashkuar dhe për hapjen e kapitujve të rinj të partneritetit.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për të thelluar bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar dhe për të hapur kapituj të rinj të partneritetit që kontribuojnë në arritjen e objektivave të përbashkëta”, thuhet nw njoftim.

Ndërkaq, ambasadori Hargreaves e ka cilësuar si “nevojë urgjente” tikthimin e stabilitetit politik në Kosovë.

“Sot bisedova me Presidenten Osmani për nevojën urgjente që Kosova t’i rikthehet stabilitetit politik për të mundësuar përparim në agjendat e brendshme dhe ndërkombëtare. Në këtë kohë pasigurie politike, diskutimi i respektueshëm dhe konstruktiv është thelbësor për të gjetur rrugën përpara”, ka shkruar ambasadori Hargreaves në rrjetet sociale.

Presidenca tha se gjatë takimit është diskutuar edhe për rëndësinë e ruajtjes së ambientit demokratik në Kosovë, ku respektohen mendimet e ndryshme dhe debati publik zhvillohet në mënyrë të përgjegjshme. Të dy palët janë pajtuar se “gjuha kërcënuese dhe bullizuese është e papranueshme dhe nuk duhet të ketë vend në diskursin publik”.

(r.m.)