Draft-raporti i raportuesit për Kosovën në PE: Viti 2025 ishte vit i humbur për Kosovën

Prishtinë, 11 mars 2026 – Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, e ka cilësuar vitin 2025 “vit i humbur” për Kosovën.

draft-raportin e hartuar nga Terras thuhet se mosformimi i institucioneve gjatë vitit të shkuar, e bën këtë vit të humbur për Kosovën.

“Në përgjithësi, 2025-a duhet të konsiderohet vit i humbur për Kosovën, pasi për shkak të zgjedhjeve të rregullta në shkurt, as trupi legjislativ as Qeveria nuk erdhën në funksion. Edhe pse tri palë zgjedhjet, që u zhvilluan më 2025 – dy parlamentare dhe një lokale – u zhvilluan të gjitha në mënyrë paqësore, procesi normal politik u ndërpre thellësisht. Si rezultat, disa reforma politike dhe ekonomike e pësuan, dhe Plani i Rritjes së Ballkanit Perëndimor nuk mund të zbatohej”, thuhet në draft-raport.

Në draft raport vlerësohet se në Kosovë ka përparime në reforma zgjedhore, në qëndrueshmëri ekonomike e në mbrojtje të të drejtave themelore, ndërsa sfida për Kosovën mbeten reforma gjyqësore, liria e medias, efikasiteti i administratës publike dhe digjitalizimi i shërbimeve publike.

Në draft-raportin e hartuar nga Terras vlerësohet në mënyrë kritike dialogu për normalizim të raporteve me Serbinë. Aty thuhet se ky dialog nuk i ka dhënë rezultatet e pritura.

Në draft-raport vlerësohen edhe masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës të vendosura  në vitin 2023. Aty thuhet se këto masa kanë pasur ndikim shumë negativ në progresin e Kosovës drejt Evropës. Sipas raportit, ekziston rreziku që mbështetja për BE-në të zbehet në Kosovë, si pasojë e këtyre masave.

Ky draft-raport do të shqyrtohet në mbledhjen e Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET) më 16 e 17 mars. Në qoftë se miratohet në Parlamentin Evropian, raporti bëhet rezolutë zyrtare e këtij institucioni.

(r.m.)