Kurti tha se do ta vazhdojë dialogun me opozitën për çështjen e presidentit

Prishtinë, 13 mars 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se planifikon që liderët opozitarë t’I ftojë në takime për të diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Kurti, në një prononcim për media nga QKUK, ka thënë se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, se prioriteti institucional duhet të jetë prioritet dhe se zgjidhja për çështjen e presidentit duhet të gjendet përmes dialogut me partitë opozitare.

“Unë besoj që kemi një çështje që tashmë ndodhet në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa theksi duhet të vihet tek fakti që në vitin e kaluar kemi pasur katër palë zgjedhje dhe jam i bindur që nuk kemi nevojë të përsërisim atë në 2025. Viti 2026 është vit i ri, nuk është as e drejtë, as e dobishme të kemi zgjedhje të përsëritura. Prandaj është e domosdoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit. Qytetarët e Republikës presin prej neve stabilitet institucional dhe jo zgjedhje të përsëritura, pra, nuk ka nevojë për zgjedhje të përsëritura. Ka nevojë që sa më parë të kemi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe të fillojë Kuvendi të punojë”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, procesi për zgjedhjen e presidentit para 5 marsit ka dështuar për shkak të opozitës, sidomos të PDK-së, e cila ka kërkuar votat e Lëvizjes Vetëvendosje për dy kandidatë të saj, pa i treguar emrat e kandidatëve.

“Unë i kam zhvilluar tri takime me kryetarin e LDK-së dhe dy takime me kryetarin e PDK-së. Fatkeqësisht, në 48 orët e fundit para se të mbërrinte mesnata e 5 marsit nuk patëm asnjë takim, Mendoj që kjo ka qenë dëm dhe gabim. Është dashur të takohemi edhe në 48 orët e fundit. Vetëm kur u bë e pamundur gjetja e figurës konsensuale dhe vetëm kur PDK-ja kërkoi që ne të sigurojmë votat për të dy kandidatët e saj pa na i treguar fare emrat neve, më pak se 30 orë para mesnatës së 5 marsit, ne e nxorëm emrin e Glauk Konjufcës. Sërish pritëm dhe vetëm 3 orë para mesnatës së 5 marsit e nxorëm dhe emrin e Fatmire Kollçakut”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se marrëveshja me partitë opozitare është e domosdoshme për shmangien e zgjedhjeve të parakohshme.

“Është e domosdoshme që sa më parë të funksionalizohet Kuvendi dhe të mos shkojmë me zgjedhje të reja të panevojshme”, ka thënë ai.

Kurti ka komentuar edhe deklaratat se zgjedhjet e kaluara parlamantare ishin mbajtur më 28 dhjetor, kur ai e kishte vlerësuar më të përshtatshme për Lëvizjen Vetëvendosje. Ai ka thënë se organizimi i zgjedhjeve më herët nuk ishte i realizueshëm për shkak të sfidave teknike dhe logjistike, gjë që e kishte thënë edhe KQZ-ja.

“Zgjedhjet e fundit janë mbajtur më 28 dhjetor. Për bindjen time të fuqishme, zgjedhjet nuk ka qenë e mundur të mbahen më 21 dhjetor, për shkak se ekziston edhe shkresa nga sekretariati i KQZ-së ku thuhet se e kanë të pamundur organizimin e zgjedhjeve për 21 dhjetor për të përmbushur afatet e domosdoshme kohore lidhur me sfidat teknike e logjistike”, ka deklaruar Kurti.

Ai ka thënë se organizimi i zgjedhjeve ishte i vështirë për shkak se vendi kishte kaluar nëpër dy raunde të zgjedhjeve lokale para se të hynte në procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

“Mos harroni që në tetor dhe në nëntor ne i kishim edhe dy raunde të zgjedhjeve lokale dhe hymë në procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ende pa u bërë certifikimi i zgjedhjeve lokale. Prandaj, nuk ka pasur mundësi tjetër që ato të mbahen në një datë tjetër përveçse më 28 dhjetor”, ka thënë ai.

Sipas Kurtit, edhe opsioni për mbajtjen e zgjedhjeve më 4 janar nuk ishte i mundur për shkak të kufizimeve buxhetore.

“Nëse dikush do të mendonte se ka qenë e mundur të organizohen zgjedhjet më 4 janar, as kjo s’ka qenë e mundur, për shkak të aspektit buxhetor. Në muajt e fillimit të këtij kemi shkuar me buxhetin 1/12 dhe kjo nuk do të mjaftonte për shpenzimet e KQZ, pasi KQZ-së i duhen më shumë mjete në muajt kur ka zgjedhje”, ka shtuar Kurti.

(r.m.)