Opozita refuzon të takohet me Kurtin para vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë, 13 mars 2026 – Opozita në Kosovë tha se është e gatshme të takohet me kryeministrin Albin Kurti për të diskutuar lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, por jo para se Gjykata Kushtetuese të vendosë lidhur me dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Ky qëndrim i partive opozitare erdhi pas deklaratës së Kurtit se po planifikon që liderët opozitarë t’i takojë në fillim të javës së ardhshme për të diskutuar për çështjen e zgejdhjes së presidentit.

Të premten, në një prononcim për media, Kurti tha se po planifikon që në fillim të javës së ardhshme t’i takojë liderët opozitarë për të diskutuar për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) tha se është e hapur për dialog politik, por e konsideron të domosdoshme që tani të pritet aktgjykimi i Kushtetueses.

“PDK vlerëson se është e domosdoshme të pritet vendimi përfundimtar i Gjykatës, i cili do të qartësojë hapat e mëtejmë institucionalë”, ka thënë kjo parti.

“Respektimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe i procedurave institucionale është mënyra më e përgjegjshme për të garantuar stabilitet politik dhe institucional në vend”, ka theksuar PDK.

Edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka njoftuar se nga Kurti ka marrë ftesë për takim dhe se ia ka bërë të qartë se takimi mund të mbahet vetëm pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese.

“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

“Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj”, ka theksuar ai.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, e ka vlerësuar deklaratën e Kurtit si përpjekje të tij për t’i ikur përgjegjësisë dhe për ta shtyrë vendin drejt zgjedhjeve sipas llogarisë së tij.

“Në pamje të parë duket konstruktiv, por në fakt po përgatit terrenin që, nëse nuk ka epilog pozitiv sipas tij, fajin ta hedhë mbi opozitën dhe Gjykatën”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Kryeministri Albin Kurti, në një prononcim për media, ka thënë se vendi nuk ka nevojë për zgjedhje të reja, se stabiliteti institucional duhet të jetë prioritet dhe se zgjidhja e çështjes së presiderntit duhet të gjendet përmes dialogut me partitë opozitare.

Kurti I ka fajësuar partitë opozitare, sidomos PDK-në, për dështimin e votimit për zgjedhjen e presidentit në seancën e Kuvendit më 5 mars.

“Unë i kam zhvilluar tri takime me kryetarin e LDK-së dhe dy takime me kryetarin e PDK-së. Fatkeqësisht, në 48 orët e fundit para se të mbërrinte mesnata e 5 marsit, nuk patëm asnjë takim, Mendoj që kjo ka qenë dëm dhe gabim. Është dashur të takohemi edhe në 48 orët e fundit, vetëm kur u bë e pamundur figura konsensuale dhe vetëm kur PDK-ja kërkoi që ne të sigurojmë votat për të dy kandidatët e saj, pa na i treguar fare emrat neve. Më pak se 30 orë para mesnatës së 5 marsit ne e nxorëm emrin e Glauk Konjufcës. Sërish pritëm dhe vetëm 3 orë para mesnatës së 5 marsit e nxorëm dhe emrin e Fatmire Kollçakut”, ka thënë ai.

Kosova nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri të vendit para 5 marsit. Të nesërmen, më 6 mars, Presidentja Vjosa Osmani shpalli dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, duke vlerësuar se afati kushtetues tashmë kishte përfunduar.

Por, Lëvizja Vetëvendosje kërkoi vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese për dekretin e Presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit. Kushtetuesja e pezulloi dekretin e presidentes dhe e ndaloi çdo procedurë për zgjedhje n e presidentit.

(r.m.)