Djathtistët serbë protestojnë në Beograd kundër Ligjit për të huajt në Kosovë

Beograd, 18 mars 2026 – Me sloganin “Për Kosovën dhe Metohinë serbe” në Beograd më 17 mars u mbajt një protestë e organizuar nga 13 parti dhe lëvizje të së djathtës, përfshirë edhe grupin ultradjathtist, “Obraz”.

Shkak për tubimin ishte Ligji për të huajt dhe Ligji për automjetet, të cilët hynë në fuqi në Kosovë më 15 mars. Protestuesit thanë se këto ligje do të ndikojnë negativisht tek pjesëtarët e minoritetit serb në Kosovë, por edhe te sektori i shëndetësisë dhe arsimit që në zonat e banuara me serb në Kosovë funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

Sipas gazetarëve në terren të Radios Evropa e Lirë, qindra persona u mblodhën pranë Presidencës së Serbisë në qendër të kryeqytetit serb, Beograd, nga ku, pas fjalimeve, nisën një marsh drejt Ambasadës së Federatës Ruse, për ta falënderuar Kremlinin që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Rreth 200 të pjesëmarrës valëvitën flamuj të Serbisë, por edhe flamuj me portretin e presidentit rus, Vladimir Putin. Nga altoparlantët u dëgjuan këngë nacionaliste, ndërsa të tubuarit brohoritën “Kosovën nuk e dorëzojmë” dhe “Tradhti”.

Midis pjesëmarrësve ishte edhe deputeti i Parlamentit të Serbisë, Branimir Nestoroviq, nga partia opozitare parlamentare “Ne, zëri i popullit”.

Cilat ishin mesazhet e protestës?

Gjatë protestës, foli edhe Slobodan Samarxhiq, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, i cili tha se autoritetet në Serbi “i kanë lënë pas dore” shëndetësinë dhe arsimin, që siç tha ai, janë nën kontroll në veri të Kosovë.

“Atje [në Kosovë] dhuna është e përditshme, njerëzit vuajnë, nuk i kanë paratë e tyre. Atje është larguar çdo gjë serbe që mund të hiqej. Dhe tani po përfundojmë me institucionet e arsimit dhe shëndetësisë”, tha Samarxhiq.

Zbatimi i plotë i Ligjit për të huajt dhe atij për automjete nisi më 15 mars në Kosovë.

Qeveria e Kosovës ka vendosur të krijojë lehtësira, duke lëshuar leje të përkohshme qëndrimi 12 mujore për pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente të Kosovës dhe t’ua njohë letërnjoftimet që atyre u lëshohen nga organet serbe, duke lehtësuar kështu ndikimin e zbatimit të Ligjit për të huaj.

Këto lehtësira u mirëpritën nga Serbia, Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar.

Ligji për të huajt do të prekë pjesëtarët e komunitetit serb që nuk kanë dokumente kosovare, por jetojnë, punojnë ose studiojnë në Kosovë. Për shembull, në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, i cili funksionon sipas sistemit të Serbisë, punojnë ose studiojnë qytetarë të Serbisë do të duhet të kenë leje pune ose leje qëndrimi.

Në praktikë, marrja e lejes për punë ose studime mund të jetë problematike, sepse Kosova nuk i njeh institucionet e Serbisë, duke i konsideruar ato si institucione paralele dhe të paligjshme në Kosovë.

Në tubimin në Beograd foli edhe Lluka Arsenijeviq, student i Fakultetit të Shkencave Politike në Beograd, i cili tha se të rinjtë e mbajnë Kosovën “në zemër, mendje dhe lutje”.

“Vazhdojmë të shohim se si do të zgjidhet problemi që kanë krijuar ata që ishin para nesh. Kur ne ta marrim pushtetin, do të këndohet një këngë tjetër këtu dhe në Kosovë”, tha ai.

Në profilin zyrtar në Instagram të “Studentëve protestues” nuk është bërë thirrje për protestën e organizuar nga partitë dhe organizatat e të djathtës ekstreme.

Në tubim foli edhe udhëheqësi i grupit ultradjathtist serb, “Obraz”, Mlladen Obradoviq.

Obradoviq, i cili e ka drejtuar organizatën e ndaluar “Obraz”, tha se njerëzit u mblodhën për të “nxjerrë në shesh gënjeshtrat” e presidentit të Serbisë “se ai ka fituar [ndaj kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti] duke i detyruar serbët të marrin dokumente separatiste nga Kosova dhe Metohia”.

“Çfarë fitorje është kjo, të detyrosh popullin të marrë dokumente të një shteti tjetër? Ne nuk e pranojmë këtë”, tha Obradoviq.

Pas fjalimeve, protestuesit marshuan drejt Ambasadës së Federatës Ruse në Beograd, për të falënderuar, siç u shpreh Obradoviq, “vëllezërit rusë”.

Obradoviq e ka udhëhequr lëvizjen “Obraz”, e cila ishte klasifikuar si organizatë fashiste nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë në vitin 2005.

Gjykata Kushtetuese e Serbisë e ndaloi funksionimin e kësaj organizate në vitin 2012. Në Serbi, kjo organizatë fillimisht veproi joformalisht, me emër paska të ndryshuar, ndërsa nga viti 2019 u regjistrua zyrtarisht.

Obradoviq ka qenë një nga organizatorët e disa demonstratave kundër komunitetit LGBT, protestave kundër ekspozitave të artistëve nga Kosova në Beograd, si edhe tubimeve në mbështetje të të dënuarve nga Gjykata e Hagës, Ratko Mlladiq dhe Radovan Karaxhiq.

(Radio Evropa e Lirë)