Kurti paralajmëron integrimin e strukturave parale serbe të arsimit e shëndetësisë

Prishtinë, 19 mars 2026 – Kryeministri Albin Kurti ka thënë të enjten se në Kosovë janë shuar strukturat paralele të Serbisë, përveç atyre në fushë të arsimit dhe të shëndetësisë. Ai ka thënë se edhe këto struktura do të integrohen në sistemin legal të Kosovës.

“Ju e dini që strukturat e tjera ilegale të Serbisë, sikurse ato të sigurisë, pastaj të financave, të administrimit, nuk ekzistojnë më në Republikën e Kosovës. Kanë ngelur edhe arsimi e shëndetësia. Ato do t’i inkorporojmë, por që ta bëjmë këtë, është e domosdoshme që njëherë të kemi listën e të gjithë mësimdhënësve, të gjithë mjekëve, infermierëve të cilët punojnë në këto struktura në sistemin arsimor”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se integrimi i këtyre strukturave do të bëhet pa e cenuar të drejtën e komunitetit serb në Kosovë për arsim dhe trajtim shëndetësor.

“Ne nuk dëshirojmë që pacientët serbë të ngelin pa trajtim shëndetësor. Ne nuk dëshirojmë që nxënësit serbë të ngelin pa mësim. Por, kjo duhet të bëhet në mënyrë legale. E në mënyrë legale do të thotë brenda kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së Republikës së Kosovës”, ka theksuar ai.

Kurti ka folur edhe për lehtësirat që u ofrohen serbëve gjatë implementimit të Ligjit për të huajt, për çka u kritikua nga opozita në Kosovë. Ai ka thënë se zbatimi gradual i këtij ligji do të japë efekte pozitive.

“Gjithçka po shkon siç është më së miri. Dhe ky nuk është veprim politik, por zbatim i ligjit, zbatim gradual i ligjit në bashkëpunim me Bashkimin Evropian…”, ka thënë ai.

Ai kujtoi se afat shtesë ishte dhënë edhe për konvertimin e targave të automjeteve nga KM në RKS.

Kurti është pyetur nëse zbatimi i Ligjit për të huaj është hap drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ju e dini që në këto pesë vjet sa jam kryeministër, shpeshherë eksponentë të opozitës kanë thënë se e bëri Zajednicën këtë muaj, muajin e ardhshëm por ju e dini që pesë vjet janë 60 muaj dhe nuk ka Zajednicë”, është përgjigjur ai.

“Prandaj, e keni një Qeveri të Republikës që është demokratike, e cila siguron mirëqenie për të gjithë qytetarët. Siguri e begati për të gjithë pa dallim. Prandaj, të gjitha akuzat e tilla janë të pavend dhe këtë e dinë më së miri qytetarët e Republikës që na mbështesin kaq shumë dhe i gëzojnë frytet e punës sonë që është obligim dhe përgjegjësi e jona”, ka theksuar ai.

(r.m.)