DASH-i paralajmëron shtetasit amerikanë për rreziqe të shtuara sigurie në Lindjen e Mesme dhe nëmbarë botën

Prishtinë, 23 mars 2026 – Departamenti amerikan i Shtetit ka lëshuar një paralajmërim global për shtetasit amerikanë në mbarë botën, e veçanërisht në Lindjen e Mesme, duke u bërë thirrje që të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë.

Në paralajmërimin e DASH, i cili është publikuarf edhe nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, thuhet se amerikanët që ndodhen jashtë vendit duhet të ndjekin udhëzimet dhe paralajmërimet e sigurisë të lëshuara nga ambasadat dhe konsullatat më të afërta të SHBA-së. 

Autoritetet paralajmërojnë gjithashtu për mundësinë e mbylljes periodike të hapësirave ajrore, gjë që mund të shkaktojë ndërprerje dhe vonesa në udhëtime.

Në komunikatë theksohet se në shënjestër janë vënë objektet diplomatike, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në rajone të tjera të botës. 

“Objektet diplomatike të SHBA-së, përfshirë ato jashtë Lindjes së Mesme, janë shënjestruar. Grupet mbështetëse të Iranit mund të shënjestrojnë interesa të tjera të SHBA-së jashtë vendit ose vende të lidhura me Shtetet e Bashkuara e amerikanët në të gjithë botën”, thuhet në paralajmërim. 

Departamenti amerikan i Shtetit u bën thirrje qytetarëve amerikanë që të regjistrohen në sistemin e njoftimeve për siguri dhe t’i ndjekin kanalet zyrtare për përditësimet më të fundit. 

(r.m.)