Në Kolumbi rrëzohet një aeroplan ushtarak me 110 ushtarë në bord

Bogota, 23 mars 2026 – Një aeroplan transportues ushtarak me 110 ushtarë në bord është rrëzuar të hënën në rajonin jugor të Amazonës, në Kolumbi.

Ministria e Mbrojtjes e Kolumbisë ka bër të ditur se aeroplani Lockheed Martin C-130 Hercules është rrëzuar menjëherë pas nisjes nga Puerto Leguizamo, thellë në brendi të Amazonës, pranë kufirit me Perunë.

Ministri i Mbrojtjes, Pedro Sanchez deklaroi se aeroplani po transportonte trupa të forcave të  armatosura kur ka ndodhur aksidenti.

BluRadio, duke iu referuar autoriteteve, raportoi se 110 ushtarë ishin në bordin e aeroplanit, i cili është rrëzuar vetëm tri kilometra larg një qendre urbane. Por, ministri Sanchez tha se ende nuk janë përcaktuar numri i saktë i viktimave dhe shkaqet e rrëzimit të aeroplanit.

“Shpresoj se nuk do të ketë viktima në këtë aksident të tmerrshëm që nuk duhet të kishte ndodhur kurrë”, tha presidenti Gustavo Petro në një postim në X.

Presidenti kritikoi pengesat burokratike për vonimin e planeve të tij për modernizimin e ushtrisë.

“Nuk do të lejoj vonesa të mëtejshme. Janë jetët e të rinjve tanë që janë në rrezik”, tha ai.

“Nëse zyrtarët administrativë civilë ose ushtarakë nuk janë në gjendje të përballojnë këtë sfidë, ata duhet të hiqen”, theksoi ai.

Aeroplanët Hercules C-130 u lëshuan për herë të parë në vitet e 50-ta. Kolumbia i ka blerë  modelet e para të këtij aeroplani në fund të viteve të 60-ta.

Kohët e fundit, ajo i ka zëvendësuar disa C-130 të vjetër me modele më të reja të dërguara nga SHBA-ja, sipas një ligji që lejon transferimin nga SHBA-ja të pajisjeve ushtarake të përdorura ose të tepërta.

(r.m.)