Memphis (Tennessee) / Teheran (Iran), 23 mars 2026 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka dhënë detaje të reja lidhur me bisedimet e fshehta me Iranin dhe lidhur vendimin për ndërprerjen pesëditore të operacioneve ushtarake amerikane në rajon.
Trump, në një konferencë për shtyp në Memphis, ka thënë se janë zhvilluar kontakte mes strukturave ushtarake amerikane dhe Iranit me synim arritjen e një marrëveshjeje.
“Janë zhvilluar bisedime mes Departamentit të Luftës dhe Iranit për të arritur një marrëveshje. Diskutimet kanë qenë shumë të mira. E gjithë jeta ime ka qenë negociatë dhe mund të kemi rezultate pozitive, bazuar edhe në punën që kanë bërë forcat tona ushtarake”, ka thënë ai.
Trump ka thënë se është e mundur një marrëveshje dheka theksuar se Irani nuk do të lejohet të zotërojë armë bërthamore.
“Gjatë tri javëve të fundit kemi arritur të reduktojmë kapacitetet e tyre me 90 për qind. I kemi neutralizuar bazën e tyre industriale dhe flotën detare. E kemi mundësinë të arrijmë një marrëveshje me Iranin për një planet më të sigurt”, ka thënë ai.
Megjithatë, Trump e ka lënë të hapura dy mundësi: vazhdimin e operacioneve ushtarake pa ndërprerje dhe një ndërprerje të përkohshme për t’i dhënë hapësirë diplomacisë.
Para se të nisej për në Memphis, Trump ka thënë se në bisedimet me Iranin janë përfshirë edhe i dërguari special, Steve Ëitkoff, dhe dhëndri i tij, Jared Kushner.
Ai ka thënë se bisedimet po zhvillohen me një lider “të lartë” iranian, por jo me udhëheqësin suprem Mojtaba Khamenei.
Më herët Trump ka thënë se bisedimet, t, t cilat ai I ka cilësuar si “të thella, të detajuara dhe frytdhënëse“ do të vazhdojnë gjatë gjithë javës.
“Bazuar në tonin dhe përmbajtjen e këtyre bisedimeve të thella, të detajuara dhe frytdhënëse, të cilat do të vazhdojnë gjatë gjithë javës, kam udhëzuar Departamentin e Luftës që ta shtyjë çdo sulm ushtarak ndaj centraleve dhe infrastrukturës energjetike iraniane për një periudhë pesëditore,” tha Trump në një postim në rrjetet sociale më 23 mars.
Por, Irani mohon se po zhvillohen bisedime të tilla.
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, tha në një postim në rrjetet sociale të hënën se “nuk janë zhvilluar negociata me SHBA-në”.
“Lajmet e rreme përdoren për të manipuluar tregjet financiare dhe të naftës dhe për t’i shpëtuar moçalit në të cilin janë bllokuar SHBA-të dhe Izraeli”, shkroi Ghalibaf në X.
Edhe zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, ka mohuar se po zhvilloheshhin bisedime e SHBA-në. Por, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve IRNA, Baghaei ka konfirmuar se “nga disa vende mike janë marrë mesazhe në lidhje me kërkesën e SHBA-së për negociata për t’i dhënë fund luftës”.
Në kohën që Trump ka folur për “bisedimet” me Iranin, Izraeli ka njoftuar se ka nisur një valë të re sulmesh ndaj kryeqytetit iranian, Teheran, ndërsa Irani ka vazhduar të qëllojë raketa dhe dronë në gjithë Lindjen e Mesme dhe, në thelb, e ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit, rrugë ujore të Gjirit përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz.
Kjo ka bërë që çmimet globale të energjisë të rriten ndjeshëm dhe ka ngritur shqetësime në lidhje me pasojat e luftës për njerëzit në mbarë botën.
Të shtunën, Trump ishte kërcënuar se do t’i “shkatërronte” termocentralet e Iranit, në qoftë se Teherani nuk e hap Ngushticën e Hormuzit për të gjitha anijet, brenda 48 orësh.
(r.m.)