Në 27-vjetorin e ndërhyrjes historike të NATO-s mbi caqet ushtarake dhe policore serbe në ish-Jugosllavi për të ndalur dhunën e forcave serbe kundër shqiptarëve në Kosovë, ish-zëdhënësi i Aleancës Veriatlantike gjatë kohës së bombardimeve, Jamie Shea, bën një bilanc të rrugëtimit të Kosovës nga 24 marsi i vitit 1999 e deri më sot.
Ndonëse liria, pavarësia dhe ndërtimi i institucioneve demokratike mbeten trashëgimia e padiskutueshme e asaj fushate ajrore, mesazhet e tij sot vijnë me një ton paralajmërues.
Përtej arritjeve, Shea tërheq vëmendjen se siguria e Kosovës mbetet e brishtë dhe se klasa politike nuk po arrin të ndërtojë një paqe të qëndrueshme dypalëshe.
Ai nuk përjashton deklarimet për rrezikun e një tërheqjeje të mundshme të trupave amerikane nga KFOR-i.
Duke i përmendur sinjalet që vijnë nga Pentagoni në këtë drejtim, Shea thekson se megjithëse misioni paqeruajtës në një skenar tjetër mund t’i mbijetojë këtij largimi duke u mbështetur te forcat evropiane dhe turke nën një operacion të udhëhequr nga BE-ja, realiteti për Prishtinën mbetet i brishtë.
Sipas tij, nuk është ende koha që vendi të mbështetet vetëm te forcat e veta të brendshme, prandaj vlera dekurajuese e një force ndërkombëtare mbetet jetike.
“Kosovarët meritojnë të jetojnë në paqe dhe barra e ruajtjes ndërkombëtare të paqes është gjithmonë më e vogël se kostoja e ndërhyrjeve të reja ushtarake nëse dhuna do të rikthehej ndonjëherë”- tha Shea për KALLXO.com.
Shea jep një vlerësim të ashpër për situatën aktuale politike në Kosovë dhe dialogun me Serbinë, duke e cilësuar atë “jo aty ku duhet të jetë”.
Për të ecur përpara, ai bën thirrje që politika kosovare të dalë nga cikli i pafundmë zgjedhor, të gjejë stabilitet qeverisës, të pajtohet për zgjedhjen e një Presidenti të ri, dhe të avancojë marrëdhëniet e besimin me SHBA-në dhe Bashkimin Evropian.
Po ashtu, në lidhje me Dialogun Kosovë-Serbi, ish-zyrtari i lartë i NATO-s kërkon një ndërhyrje shumë më të ashpër të Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, duke ia kushtëzuar anëtarësimin me njohjen e Kosovës.
Ndërkaq, në një rrafsh më të gjerë diplomatik, Shea ‘shfryn flluskën’ e deklaratave të Donald Trump.
Ai e cilëson pretendimin e presidentit amerikan për “përfundimin e luftës” në Kosovë si të pavërtetë, ose të paktën të parakohshëm, duke theksuar se ky “sukses” mund të pretendohet vetëm kur Uashingtoni të ushtrojë presion real për ta detyruar Beogradin të ulet seriozisht në tryezën e bisedimeve.
Intervista e plotë:
KALLXO.com: Zoti Shea, 27 vjet më parë ju ishit fytyra dhe zëri i NATO-s gjatë 78 ditëve të Operacionit të NATO-s. Kur e shikoni Kosovën sot, a përputhet realiteti në terren me shpresat dhe objektivat që i komunikonit botës në vitin 1999? Cilën e shihni si trashëgiminë e vërtetë dhe të qëndrueshme të asaj ndërhyrjeje?
Jamie Shea: Trashëgimia e qëndrueshme e ndërhyrjes së NATO-s është fakti se, për 27 vitet e fundit, populli i Kosovës ka jetuar në liri dhe demokraci. Të drejtat e tyre të njeriut janë respektuar dhe ata kanë qenë në gjendje të shprehin mendimet e tyre e të votojnë në zgjedhje të shumta, pa frikën se forcat policore dhe ushtarake serbe do t’u thyenin dyert në mes të natës për t’u vënë flakën shtëpive të tyre. Për mua, ky është ndryshimi kryesor mes situatës së sotme dhe asaj të 24 marsit 1999.
Natyrisht, bilanci i 27 viteve në vijim ka qenë i përzier, ashtu siç pritet për një vend që del nga një konflikt i gjatë dhe i dhunshëm. Nga ana pozitive, Kosova ka arritur vetëvendosjen dhe pavarësinë, të njohura tashmë nga shumica e shteteve anëtare të OKB-së. Ka ndërtuar infrastrukturë të re, ka ngritur biznese dhe ka krijuar forca profesionale të policisë dhe sigurisë. Përqafimi i saj ndaj vlerave perëndimore dhe orientimi drejt NATO-s e BE-së janë të qarta.
Por, nga ana më pak pozitive, do të kisha dashur të shihja më shumë stabilitet politik dhe më shumë konsensus e bashkëpunim mes partive kryesore politike në parlament. Demokracia nënkupton debat dhe opozitarizëm, por ato e kanë një kufi kur bëhet fjalë për ta çuar Kosovën përpara.
Një shkallë e caktuar uniteti është thelbësore. Gjithashtu, do të kisha dashur të shihja më shumë progres në integrimin e komunitetit etnik serb në shoqërinë civile dhe jetën politike të Kosovës.
Mëria dhe ndarjet etnike ishin të kuptueshme në vitin 1999, por 27 vjet më vonë, shpresoja për më shumë pajtim dhe një shikim drejt së ardhmes, në vend të rikthimit vazhdimisht tek e kaluara. Sigurisht, angazhimi me Beogradin për normalizimin e marrëdhënieve ka qenë thellësisht zhgënjyes, por Serbia mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë për këtë. Dhe së fundi, do të doja të shihja një partneritet më të ngushtë dhe më të qëndrueshëm mes Kosovës dhe miqve të saj kryesorë ndërkombëtarë në SHBA dhe Evropë.
KALLXO.com: Cili ishte aspekti më sfidues i komunikimit të objektivave të Aleancës gjatë atyre 78 ditëve, dhe si e formësoi ajo përvojë mënyrën se si e kuptoni sot komunikimin modern në kohë krize?
Jamie Shea: Opinionit publik nuk i pëlqejnë luftërat dhe konfliktet, prandaj sigurimi i mbështetjes për to në demokraci, atëherë kur mbrojtja kombëtare nuk kërcënohet drejtpërdrejt, nuk është i lehtë. Fundja, rasti i Kosovës ishte një ndërhyrje humanitare në një vend shumë larg territorit të mjaft aleatëve të NATO-s. Ndaj, detyrën time kryesore si Zëdhënës i NATO-s e pashë te argumentimi se pse sulmet ajrore ishin sa të domosdoshme, aq edhe të justifikuara moralisht dhe politikisht.
U përpoqa të tregoja se aleatët e NATO-s ishin përpjekur maksimalisht për të arritur një zgjidhje diplomatike dhe për të shmangur luftën, por që regjimi i Millosheviqit në Serbi e kishte refuzuar një zgjidhje paqësore dhe ishte i vendosur të përdorte dhunë kundër popullatës civile të Kosovës.
Nëse NATO nuk do të vepronte, një katastrofë humanitare në Kosovë ishte e pashmangshme dhe paqëndrueshmëria do të përhapej përtej saj, në një rajon më të gjerë. Ky theks humanitar dhe uniteti i Aleatëve në mbështetje të fushatës ajrore ishin kyç për të bindur opinionin tonë publik që të na mbështeste. Sfida kryesore ishte ruajtja e kësaj mbështetjeje publike gjatë 78 ditëve të gjata të operacioneve të NATO-s.
Gjatë një lufte, është e pashmangshme që të ndodhin gabime dhe gjërat të mos shkojnë gjithmonë sipas planit. Millosheviqi u përpoq përmes një fushate propagandistike të fajësonte NATO-n për krizën humanitare dhe të zhvendoste vëmendjen nga mizoritë që po kryenin forcat e tij.
Pra, sfida ime më e madhe ishte të ruaja një perspektivë të qartë dhe të mos lejoja që incidente të veçanta, si bombardimi i ambasadës kineze në Beograd apo incidenti i kolonës së traktorëve në Gjakovë, të dominonin mbulimin mediatik dhe të formësonin perceptimet e publikut. Më pas, mësimi kryesor për komunikimin e NATO-s ishte nevoja për të qenë më të organizuar dhe më të përgatitur paraprakisht, si dhe për të verifikuar informacionin më shpejt, në mënyrë që të ofronim prova dhe fakte të pakundërshtueshme për pretendimet tona.
KALLXO.com: Njëzet e shtatë vjet më vonë, KFOR-i mbetet misioni më jetëgjatë në historinë e NATO-s. A përfaqëson prania e vazhdueshme dhe e domosdoshme e trupave të NATO-s në Kosovë një dështim të politikës civile në rajon, apo është thjesht një dëshmi e angazhimit të palëkundur të NATO-s për paqen?
Jamie Shea: Kjo padyshim dëshmon fuqinë qëndruese të NATO-s. KFOR-i është misioni më jetëgjatë i NATO-s, duke zgjatur më shumë se misionet në Afganistan, Irak, Libi dhe Bosnjë. Por ka qenë gjithashtu më pak i debatuar se shumica e këtyre misioneve të tjera, sepse kosovarët e kanë mirëpritur dhe ky mision ka arritur një bashkëpunim të ngushtë me policinë dhe forcat e sigurisë së Kosovës. Dhe natyrisht, numri i ushtarëve të NATO-s në KFOR ka rënë ndër vite, nga 40,000 në vitin 1999 në rreth 4,500 sot, duke e bërë misionin më të përballueshëm e të qëndrueshëm (veçanërisht në një kohë kur NATO përballet me kërcënime nga Rusia në Ukrainë dhe Evropën Lindore).
Prania e KFOR-it ofron gjithashtu mundësi të dobishme trajnimi dhe stërvitjeje për forcat e sigurisë së Kosovës për të ndërvepruar me NATO-n dhe për të përmbushur standardet e saj; një pjesë e përgatitjes për anëtarësimin e ardhshëm të Kosovës në NATO.
Natyrisht, pas 27 vitesh, do të ishte inkurajuese nëse misioni i sigurisë i KFOR-it në Kosovë nuk do të ishte më i nevojshëm. Por politikanët në Beograd dhe Prishtinë nuk kanë qenë në gjendje të shtrijnë dorën e bashkëpunimit, “të varrosin sëpatën e historisë” [shënim i gazetarit: idiomë nga Amerika e Veriut që nënkupton “arritjen e paqes”] dhe të krijojnë në mënyrë dypalëshe një kornizë sigurie për Kosovën dhe rajonin, të bazuar në bashkëpunimin e forcave të tyre ushtarake.
Kështu që, NATO dhe ndërkombëtarët duhet ta bëjnë këtë punë për ta. Le të jetë kështu. Kosovarët meritojnë të jetojnë në paqe dhe barra e ruajtjes ndërkombëtare të paqes është gjithmonë më e vogël se kostoja e ndërhyrjeve të reja ushtarake nëse dhuna do të rikthehej ndonjëherë.
KALLXO.com: A mendoni se për shkak të luftërave në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme rrezikohet tërheqja e KFOR-it nga Kosova? Dhe pyetja thelbësore që e pason këtë: nëse NATO do të tërhiqej, a besoni se Kosova ka kapacitetin për të garantuar sigurinë e saj plotësisht e vetme në këtë moment?
Jamie Shea: Mendoj se rreziku kryesor është që SHBA-ja të tërheqë forcat e saj nga Kosova. Ka pasur disa zëra nga Pentagoni në këtë drejtim. Por pjesa më e madhe e trupave të KFOR-it janë evropiane dhe turke, dhe KFOR-i mund të vazhdojë si një operacion i NATO-s nën strukturën komanduese dhe procesin e planifikimit të forcave të aleancës edhe pa amerikanët, megjithëse largimi i tyre do të ishte për të ardhur keq. Ose, KFOR-i mund të shndërrohet në një operacion të udhëhequr nga BE-ja, ashtu siç ndodhi në Bosnjë në vitin 2004 kur misioni SFOR i NATO-s u mor përsipër nga BE-ja dhe u riemërua Althea.
Por mendoj se, duke pasur parasysh brishtësinë e vazhdueshme të situatës, prania ndërkombëtare paqeruajtëse kërkohet ende dhe nuk është koha për t’u mbështetur vetëm në forcat e brendshme të sigurisë së Kosovës. Vlera parandaluese (dekurajuese) [shënim i gazetarit: termi “deterrence” nënkupton fuqinë e një force ushtarake për të parandaluar sulmin e një kundërshtari përmes frikës nga hakmarrja ose dështimi] e një force ndërkombëtare mbetet e nevojshme.
KALLXO.com: Dialogu i lehtësuar nga BE-ja midis Prishtinës dhe Beogradit ka prodhuar marrëveshje, por zbatimi i tyre në terren shpesh has në vështirësi. Cili është vlerësimi juaj për dinamikat aktuale politike midis dy palëve?
Jamie Shea: Të them të drejtën, situata nuk është e mirë për momentin dhe nuk jemi aty ku duhet të ishim. Kosova duhet ta kapërcejë ciklin e saj të pafundmë zgjedhor dhe të bjerë dakord për një President të ri. Kemi nevojë për më shumë stabilitet në qeverisje.
Marrëdhëniet me SHBA-në dhe BE-në duhen përmirësuar dhe duhet rikthyer besimi kur bëhet fjalë për strategjinë dhe respektimin e angazhimeve. Korniza e Ohrit është një themel i mirë, por na duhet një udhërrëfyes për zbatimin e saj dhe një presion i vërtetë mbi Beogradin dhe Prishtinën për të ecur përpara paralelisht. Jo njëra palë të bëjë të gjitha lëshimet ndërsa tjetra pret. Sigurisht, BE-ja duhet të mbajë një qëndrim më të ashpër me Serbinë në lidhje me njohjen e Kosovës nëse dëshiron që ajo të avancojë drejt anëtarësimit në BE.
Trump e ka cilësuar Kosovën si një nga sukseset e tij në përfundimin e luftërave. Kjo nuk është e vërtetë, ose të paktën jo ende. Trump duhet ta meritojë këtë pretendim duke bërë një përpjekje të vërtetë për ta sjellë Beogradin në tryezën e bisedimeve.
Jamie Shea ishte Zëvendës Ndihmës Sekretar i Përgjithshëm për Sfidat e Sigurisë në Zhvillim në Selinë e NATO-s në Bruksel, Belgjikë, deri në daljen e tij në pension në fund të shtatorit 2018. Ai mori vëmendjen botërore gjatë Luftës së Kosovës në vitin 1999, kur shërbeu si zëdhënës i NATO-s.