Prishtinë, 26 mars 2026 – Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë mirëpritur njoftimin për zbatimin e Ligjit për të Huajt, duke e cilësuar këtë si një hap pozitiv drejt bashkëpunimit institucional dhe politik.
Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se SHBA-ja e vlerëson angazhimin e palëve për këtë çështje.
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin njoftimin për arritjen e marrëveshjes për zbatimin e Ligjit për të Huajt. Ne vlerësojmë angazhimin e palëve për këtë çështje, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e pranueshme nga të dyja palët”, ka thënë ai.
Zëdhënësi ka thënë se dialogu midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm.
“Normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është thelbësor për arritjen e paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm. Dialogu i BE-së është një kanal i njohur për Prishtinën dhe Beogradin për të bërë përparim në procesin e normalizimit”, ka tënë ai.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit nuk ka komentuar për bisedimet e të dërguarit të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, me zyrtarë të Departamentit të Shtetit.
“Si politikë, ne nuk komentojmë mbi bisedat private e diplomatike”, ka thënë ai.
Këshilli për Marrëdhëniet Shqiptaro Amerikane (The Albanian American Relations Council – AARC), gjatë takimit me zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, javën e kaluar, ka kërkuar që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të marrin rol udhëheqës në dialogun Kosovë – Serbi.
Presidenti Martin Vulaj dhe anëtari i Bordit të AARC, Vehbi Bajrami, gjatë takimit me zyrtarin e Departamentit të Shtetit të ngarkuar me Kosovën, Andrew Caruso, dhe të ngarkuarit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, John Robbins e David Maher, kanë thënë se dialogu i udhëhequr nga Bashkimi Evropian nuk ka dhënë rezultatet e pritura, ndonëse ka nisur qysh në vitin 2013.
(r.m.)