Tiranë, 26 mars 2026 – Raporti mbi dhunën me bazë gjinore ndaj grave lezbike, biseksuale dhe transgjinore (LBT) në Shqipëri, i kryer nga Aleanca LGBTI dhe Asosacioni Ndërkombëtar për të Drejta të Barabarta të LGBTI – ERA, nxori në pah se mungesa e besimit në institucionet shtetërore për të trajtuar rastet e formave të ndryshme të dhunës ndaj këtyre grave si edhe mungesa e njohjes ligjore për këtë komunitet ndikon në nivelit e ulët të mbrojtjes dhe përjashtimin strukturor të këtyre grave LBT.
Gjetjet e raportit tregojnë se format më të përhapura të dhunës konsistojnë në dhunën familjare dhe përjashtimin nga familja, dhunën online, martesat e detyruara, dhuna ekonomike, përdhunimet korigjuese, si edhe izolimi dhe kontrolli social.
“52.9% e grave LBT kanë përjetuar dhunë gjatë jetës së tyre, teksa 36.6% raportojnë se janë aktualisht të prekura nga dhuna”, tha Dea Nini, avokate për të drejtat e njeriut.
Raporti nxjerr në pah se pavarësisht nivelit të lartë të përjetimit të dhunës, niveli i raportimit të saj është tejet i ulët.
“90% e personave LGBTI+ nuk e raportojnë dhunën apo diskriminimin që përjetojnë, teksa vetëm 11.6% e rasteve raportohen”, citojnë gjetjet për Shqipërinë.
Ky nivel i ulët i raportimit i atribuohet ndjenjave të turpit, frikës, varësisë ekonomike si edhe nivelit të ulët të besimit në institucionet ligjzbatuese që viktimat kanë, teksa sipas gjetjeve të raportit 88% e grave LBT janë shprehur se nuk kanë besim tek institucionet.
Gratë LBT përballen gjithashtu me margjinalizim të shtuar dhe më kompleks në sektorë të ndryshëm si shëndeti, arsimi, punësimi, dhe strehimi.
“Një grua e dhunuar përballet në fakt me dy dhunues, me dhunuesin e vërtetë dhe me indiferencën e institucioneve të shtetit”, tha gjatë fjalës së tij Avokati i Popullit, Endri Shabani.
Ai shtoi se kjo problematikë nuk mund të zgjidhet më nëpërmjet trajnimeve të përfaqësuesve të organeve kompetente publike, por duhet që secili të mbajë përgjegjësinë ligjore për mosveprim ndaj rasteve të dhunës.
Sipas Koordinatores për Projekte dhe Advokim pranë organizatës ndërkombëtare ERA – të drejta të barabarta për LGBTI – Elena Petrovska, konteksti politiko-social në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe lëvizjet anti-gjinore të ekstremit të djathtë luajnë një rol të rëndësishëm në rritjen e nivelit të sulmeve ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTI dhe grave.
Edhe pse Shqipëria ka shënuar progres në miratimin e Ligjit për Barazi Gjinore dhe Ligjit për Parandalimin ndaj Dhunës në Familje ndaj Grave, kuadri ligjor lë akoma hapësira për përjashtim të grave që i përkasin komunitetit LGBTI në vend.
Sipas avokates Dea Nini, një pengesë kryesore për mbrojtjen e grave LBT është edhe mungesa e legjislacionit që u garanton atyre të drejta si martesa civile apo bashkimet e së njëjtës gjini, si edhe mungesa e njohjes së identitetit gjinor të një gruaje transgjinore.
“Këto mungesa ligjore çojnë në përjashtim nga mbrojtja ligjore dhe tregojnë një model të qëndrueshëm të përjashtimit strukturor”, tha avokatja Nini.
Përtej mungesës së mbrojtjes, gratë LBT gjithashtu hasen me përjashtim nga shërbimet publike shëndetësore, me izolim social dhe si pasojë nivel të lartë migrimi.
“40% e personave LBTI+ patën vështirësi të aksesojnë kujdesin shëndetësor, ku 36% u përballën me diskriminim dhe 32% e shmangën këtë kujdes për shkak të frikës së paragjykimit”, tregojnë gjetjet e raportit për Shqipërinë.
Nga ana tjetër, legjislacioni mbi shëndetin publik dhe atë riprodhues nuk adreson specifikisht diskriminimin me bazë orientimi seksual dhe identiteti gjinor, duke çuar kështu në barriera sistemike në shërbimet shëndetësore për gratë LBT.