Tiranë, 26 mars 2026 – Gjykata Kushtetuese vendosi unanimisht të enjten se vendimi i Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë arrest me burg ndaj ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi ishte i drejtë dhe në të nuk kishte shkelje.
Në një komunikim me mediat, kryetarja e gjykatës, Fiona Papajorgji sqaroi se trupi gjykue i kishte shqyrtuar vetëm vendimet e Gjykatës së Posaçme, Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës së Lartë në lidhje me masën e sigurisë për të cilat ishte bërë ankesë. Ajo tha se argumentet e paraqitura nga avokati i Berberit mbi cënimin e privatësisë dhe korrespondecës nuk ishin marrë parasysh.
Papajorgji tha se gjykata nuk mund të shprehej për këto pretendime, sa kohë që ato nuk ishin pjesë e vendimeve gjyqësore të ankimuara. Ajo po ashtu bëri me dije se këto pretendime mund të vinin në Kushtetuese vetëm nëse ato ishin shqyrtuar më herët në gjykatat e niveleve më të ulëta.
Berberi ishte ankuar në Kushtetuese në lidhje me vendimet e gjykatave që e linin atë në masën e sigurisë arrest me burg, por në argumentet para gjykatës ishin përfshirë po ashtu pretendime në lidhje me cënimin e privatësisë dhe korrespondecës dhe vlefshmërinë e provave të marra nga celulari i tij.
Sekuestrimi i telefonit celular të Berberit u kthye në një “minierë” informacionesh për Prokurorinë e Posaçme gjatë dy viteve të fundit, prej nga janë regjistruar procedime penale në ngarkim të Berberit, ndaj ish.zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku si dhe kryetarit të Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci.
Berberi akuzohet për veprat penale të korrupsionit, shkeljes së barazisë në tendera dhe pastrimin e parave përmes krijimit të një skeme kompanish të kontrolluara prej tij, që përfiton fonde publike.
Ndërkohë në një çështje të dytë bazuar mbi komunikimet telefonike me Berberin, edhe ish-ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku akuzohet për shkelje të barazisë në tendera në mënyrë të përsëritur lidhur me projektet e kushtueshme të tunelit të Llogarasë, tenderat e Unazës së Madhe të Tiranës si dhe koncesionin e rrugës Thumanë- Kashar.
Po të enjten Gjykata Kushtetuese vlerësoi se nuk kishte shkelje as në vendimet e gjykatave për lënien fillimisht në masën arrest me burg për Redi Mollën, një ish-drejtor i Bashkisë së Tiranës dhe një prej të pandehurve në dosjen e njohur si “5D”.