Procedohet në Kuvend Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme

Prishtinë, 30 mars 2026 – Qeveria e Kosovës e ka proceduar për miratim në Kuvend Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se ky ligj ka qëllim të dyfishtë.

“Së pari, të forcojë llogaridhënien e zyrtarëve publikë, duke e bërë të qartë se pasuria duhet të jetë në përputhje me të ardhurat e ligjshme dhe, së dyti, të ruajë standardet kushtetuese dhe të drejtat themelore, duke siguruar që çdo ndërhyrje në pronë të bëhet vetëm me vendim gjyqësor”, ka theksuar Gërvalla.

Ajo ka thënë se me këtë ligj krijohen mundësi për forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe formave tjera të pasurimit të paligjshëm.

“Mandati publik nuk është mundësi për pasurim personal, si dhe është përgjegjësi që duhet kryer bazuar në dispozitat dhe obligimet ligjore. Në anën tjetër, për qytetarët, kjo nismë dhe ky ligj do të thonë më shumë barazi, pastaj drejtësi dhe gjithashtu, më shumë besim në institucionet shtetërore”, shtoi ajo.

Qeveria e Kosovës e ka miratuar të hënën edhe Projektligjin për Inspektoratin Qendror të Mjedisit, Ujërave, Natyrës, Ndërtimit, Projektligjin për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, Projektligjin për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore dhe Projektligjin për Banimin Social dhe të Përballueshëm.

(r.m.)