Nga Beqir SINA – New York

Në ballinë e librit “Nga Dibra në Botë” të Shpend Kolecit, Dibra e Madhe ndahet nga Nju Jorku me një “lumë” të hollë. Një imazh i thjeshtë, por që flet mijëra fjalë qoftë simbolike , atë se nuk mundet kurr një lumë të ndajë vërtet një njeri nga rrënjët e veta.
Për Shpend Kolecin, intelektualin dhe veprimtarin dibran që prej dekadash jeton në Shtetet e Bashkuara, përgjigjja është jo. Ky libër nuk është thjesht një autobiografi; është një dëshmi e gjallë se si dashuria, sakrifica dhe shpresa mund të kalojnë kufij, kohë dhe dhimbje, duke mbajtur gjallë identitetin shqiptar në çdo cep të botës.
Shpend Koleci lind më 30 gusht në Dibër të Madhe (Maqedoni), nga babai Sefedin një ushtarak i shkolluar në Akademinë prestigjioze ushtarake të Torinos, besnik i Mbretit Zog, partizan antifashist, e më pas mësues që hapi shkollën e parë shqipe në fshatin Solokiq.
Babai i tij nuk ishte vetëm një figurë familjare; ai ishte simbol i qëndresës që nuk thyhet as nga burgu komunist, as nga ndarja e dhimbshme e fëmijëve nga martesa e parë pas kufirit.
Në çdo faqe të librit ndihet kjo trashëgimi: arsimi dhe nderi si thesare të pathyeshme, besimi se pas çdo errësire lind drita.
Nëna Fatime (Lute) plotëson këtë tablo me një forcë tjetër atë të heshtur, por të pathyeshme të gruas shqiptare. Pas vdekjes së burrit, ajo mbetet e vetme me tre fëmijë në moshën 45-vjeçare.
Nuk ankohet, nuk pyet “pse unë?” të kem këtë fat!
Thjesht vepron qep ëndrrat e fëmijëve me dorë të palodhur, ndan bukën e fundit me fqinjin, qetëson me një buzëqeshje që nuk mungon kurrë. Bujaria e saj nuk është gjest, është mënyrë jetese.
Në duart e ashpra të Fatimes, në sytë që kanë parë shumë, lexohet një e vërtetë e lashtë, forca e vërtetë nuk matet me zë të lartë, por me atë që njeriu zgjedh të japë kur ka më pak se çdo gjë.
Këto dy figura babai hero dhe nëna bujare bëhen themelet mbi të cilat Shpendi ndërton rrugëtimin e vet. Fëmijëria e tij në Dibër është e thjeshtë, por e mbushur me dashuri dhe mësime.
Në shkollë nxënës i shkëlqyer, në rini pedagog social, por edhe lojtar pasioni i futbollit një pasion që nuk qëndron vetëm në fushë. Ndeshja historike e vitit 1991 midis Korabit të Dibrës dhe Korabit të Peshkopisë nuk ishte thjesht një ndeshje, ngase ajo ishte një festë vëllazërie.
Stadiumi plot lot emocionesh, goli i parë i shënuar nga vetë Koleci, brohoritjet që bashkuan shqiptarët nga të dy anët e kufirit pas dekadash ndarjeje të gjitha këto tregojnë se identiteti nuk ngec në hartë, ai rreh në zemër kur njerëzit zgjedhin të bashkohen.
Në vitin 1992, era e jetës e çoi Shpend Kolecin drejt Suedisë.
Atje, në një vend ku fjolla bore zëvendësonin diellin dibran, ai nuk u mbyll në vetmi. Bashkë me profesor Ibrahim Egriun, hapi rreth 80 shkolla plotësuese të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve.
Ai me veprimtarë të tjerë po bënin një akt i qëllimshëm për të mos lejuar që gjuhën amtare ta zëvendësonte heshtja e një bote të huaj. Çdo klasë e hapur atje ishte një urë e padukshme që lidhte Dibrën me Stokholmin, një farë identiteti që nuk lejohej të thahej.
Më 1996, bashkë me gruan e dashur Ferdeze dhe fëmijët Sefedin, Zgjim e Drilonë, Koleci mbërriti në Amerikë. Nuk erdhi si mysafir i përkohshëm. Shpejt u angazhua në themelimin e Shoqatës Atdhetare Dibra, ndihmoi më shumë se 100 bashkëatdhetarë të gjejnë punë, arbitroi në ligën futbollistike shqiptaro-amerikane sikur të thoshte: “Nëse unë mund ta mbaj Dibrën gjallë këtu, edhe ju mund ta bëni.”
Por pyetja që shoqëroi gjithmonë ishte : a mund të ndihmosh të tjerët të ndërtojnë jetë të re pa e humbur kurrë atë që vetë ke lënë pas?
Pastaj erdhi stuhia më e madhe. Ferdeze, bashkëshortja që kishte qenë mbështetja e pathyeshme, u diagnostikua me kancer. Katër vjet luftë me dinjitet të rrallë, por në fund humbi betejën në moshën 45-vjeçare.
Vetëm dy muaj më parë, nëna Fatime ajo shkëmb që nuk lëvizte kurrë ishte larguar po ashtu. Dhe më vonë, motra Liljana, nëna e Uliksit, Besfortit dhe Enisit, pas gjashtë muajsh lufte me tumorin në kokë.
Si arrin njeriu të mos thyhet plotësisht kur humbjet vijnë kaq afër njëra-tjetrës?
A është përgjigjja tek kujtimet që nuk shuhen nga të qeshurat e Ferdezes, dora ngrohtë e nënës, buzëqeshja qetësuese e Liljanës apo tek vendosmëria për t’i bërë ato kujtime krenari për brezat e ardhshëm?
Megjithatë, libri nuk mbyll me errësirë. Në vitin 2023, Shpendi takon Valbonën një grua e fortë, punëtore, me zemër të madhe që rriti vetëm Jonin dhe Dionin me vlera të rralla. Bashkë ata ndërtojnë një familje të re, ku fëmijët e vjetër dhe të rinj bashkohen pa rivalitet.
Dhe pastaj vijnë nipërit e mbesat: Armendi, Nazimi, Ferdezi, Aidani, Bella – engjëj të vegjël që mbushin shtëpinë me qeshje dhe jetë.
Libri “Nga Dibra në Botë” i Shpend Kolecit, na tregon se shpresa nuk është një fjalë e bukur; është zgjedhje e përditshme për të dashur përsëri, për të pranuar përsëri, për të qenë gjysh me gjithë zemër pas gjithë plagëve.
Mbasi, Shpend Koleci, nuk sheh vetëm dhimbje; ai sheh një rrugëtim që kurrë nuk u ndal. Nga Dibra në Suedi, nga Suedia në Amerikë, nga humbjet e thella në fillimin e ri me Valbonën, Jonin dhe Dionin ku çdo hap ishte një zgjedhje për të mos u dorëzuar.
Libri mbyllet me një epilog të thjeshtë, por të fuqishëm se pas çdo dhimbjeje, gjithmonë lind shpresa. Jo si frazë e zbukuruar, por si e vërtetë e jetesuar çdo ditë me nipërit dhe mbesat që mbushin shtëpinë me qeshje, me familjen që u bashkua përsëri, me identitetin që nuk u shua kurrë.
Kur do ta lexosh këtë libër “Nga Dibra në Botë” të Shpend Kolecit, ke edhe ti një kujtim , si një pasqyrë që të fton të falënderosh jetën për çdo ditë që të lejon të duash, të sakrifikosh dhe të shpresosh përsëri.
Shpend Koleci me librin “Nga Dibra në Botë” na lë një dhuratë: që kurrë mos e harro se, pavarësisht lumit që ndan, zemra mund ta kalojë gjithmonë…