Tiranë, 2 prill 2026 – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka akuzuar opozitën se po e dëmton procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian. Sipas tij, opozitarët, të cilëtij ai i ka quajtur si “të paudhë”, gjatë kontakteve me zyrtarë evropianë, e denoncojnë kabinetin e tij qeveritar për “keqqeverisje”, për “narko-shtet” dhe për “korrupsion”.
Rama ka theksuar se asnjëherë nuk ia ka bërë diçka të tillë bashkëkombësve të vet ndonjë komb tjetër, pavarësisht luftës politike. Në këtë kontekst, ai e ka marrë shembull Maqedoninë e Veriut.
”Nuk lënë gjë pa thënë që ky proces të mos ndodh. Luftë politike ka dhe në vende të tjera, po nuk ia kanë bërë kurrë maqedonasit – maqedonasve këtë punë. Kurrë. Që të thonë atje ‘shiko se këta’… Ne kësaj nuk kemi çka u bëjmë. Nuk kemi çka u bëjmë ca të paudhëve që nuk e kanë idenë që çfarë po bëjnë”, ka thënë Rama në një takim të Partisë Socialiste në Tiranë.
“Po tentojnë të dëmtojnë një moment ku fati, historia, po u buzëqesh shqiptarëve. Diçka madhështore dhe gjëja më e jashtëzakonshme që mund të bëjmë për fëmijët tanë”, ka theksuar ai.
Sipas Ramës, Shqipëria e gëzon për herë të parë përkrahjen e fuqive të mëdha për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Është hera e parë që shqiptarët i kanë me vete të gjitha fuqitë e mëdha, në kuptimin konkret, jo me llafe. Asnjëherë nuk e kemi pasur kaq konkrete mundësinë që të bëhemi pjesë e klubit europian”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se nëse humbet ky momentum do duhen vite të rikuperohet.
“E kundërta është gjëja më dramatike. Që ne të mos ia dalim dot. Nëse dera mbyllet, do të duhen vite pastaj”, ka thënë Rama.
“Nuk është derë e hapur përgjithmonë. Mund të mbyllet kjo derë dhe ky moment nuk mund të humbet për asnjë arsye në botë”, ka therksuar ai.
(r.m.)