Haxhiu: Këtë detyrë do ta ushtroj në respekt të plotë të Kushtetutës, ligjit dhe interesit publik

Prishtinë, 4 prill 2026 – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se këtë detyrë do ta ushtrojë, siç është shprehur, “në respekt të plotë të Kushtetutës, ligjit dhe interesit publik”.

Në një postim në Facebook, pak kohë pasi e ka marrë detyrën e ushtrues së detyrës së Presidentes sëe vendit, Haxhiu ka theksuar se këtë detyrë do të ushtrojë me përkushtim të plotë dhe duke garantuar vazhdimësinë e funksionimit të institucioneve dhe respektimin e rendit kushtetues të Kosovës.

Haxhiu ka thënë se në Kuvendin e Kosovës do të vazhdojë procedura për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit brenda afateve kushtetuese.

Postimi i plotë:

“Sot kam marrë detyrën e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës.

Mekanizmat kushtetues që kemi ndërtuar garantojnë vazhdimësi e stabilitet institucional.

Këtë përgjegjësi do ta ushtroj me përkushtim të plotë, duke garantuar funksionim të pandërprerë të institucioneve dhe respektim të rendit kushtetues.

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vijojë procedurën kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri brenda afateve kushtetuese. Deri në përmbylljen e këtij procesi, do ta ushtroj këtë detyrë në respekt të plotë të Kushtetutës, ligjit dhe interesit publik.

Falënderoj Presidenten Vjosa Osmani Sadriu për shërbimin e saj ndaj vendit dhe i uroj suksese në vazhdim.

(r.m.)