Beograd, 5 prill 2026 – Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se policia dhe ushtria serbe i kanë zbuluar dy pako të mëdha me eksplozivë dhe pajisje për aktivizim pranë tubacionit të gazit “Ballkan Stream”, jo shumë larg vendbanimit Velebit, në pjesën veriore të kraninës së Vojvodinës, në zonën kufitare me Hungarinë.
“Kjo ka ndodhur në pjesën veriore të Vojvodinës dhe shpresoj se ai eksploziv të largohet pa viktima dhe pa pasoja tragjike”, ka thënë ai.
Vuçiq ka thënë se nuk dëshiron të flasë për detaje, por ka lënë të kuptohet se lënda shpërthyese është zbuluar gjatë kontrollit rutinor të forcave të sigurisë.
“Ne e mbrojmë stacionin e kompresorëve njësoj sikur mbrojmë Kragujevcin dhe Nishin, ashtu që të mos mund të fluturojë asnjë zog”, ka thënë ai.
Njëkohësisht, ai ka theksuar se shteti serb do të jetë “i pamëshirshëm ndaj kujtdo që mendon ta rrezikojë infrastrukturën kritike të Serbisë”.
Pak më vonë, Vuçiq ka njoftuar se për zbulimin e pakove me eksploziv pranë tubacionit të gazit në zonën kufitare me Hungarinë e ka njoftuar kryeministrin hungarez Viktor Orban,
“Sapo e përfundova një bisedë telefonike me kryeministrin hungarez Viktor Orban të cilin e informova për rezultatet e para të hetimit të organeve tona ushtarake dhe policore në lidhje me rrezikimin e infrastrukturës kritike të gazit që lidh Serbinë dhe Hungarinë”, ka shkruar ai në rrjetet sociale.
Orban, i cili është aleat i Vuçiqit, ka njoftuar se për sot pasdite ka thirrur një mbledhje të jashtëzakonshme të këshillit të sigurisë kombëtare.
Opozita në Hungari dyshon se ky “zbulim” i Vuçiqit është pjesë e fushatës zgjedhore që po zhvillohet në Hungari. Ajo tha se Orbani po e përdor këtë shërbim të aleatit të tij, Vuçiqit, për të intimiduar elektoratin hungarez.
Zgjedhjet në Hungari do të mbahen të dielën e ardhshme, më 12 prill. Sipas sondazheve të fundit, partia opozitare Tisza, e udhëhequr nga Peter Magiar, është bindshëm përpara partisë Fidetz të Orbanit.
Sipas sondazhit të publikuar nga revista Politico.eu, Tisza gëzon mbështetjen e 49 për qind të votuesve, ndërsa mbështetja për Fidetz ka rënë në 39 për qind.
(r.m.)