S’ka konsensus për çështjen e presidentit, por bisedimet do të vazhdojnë

Prishtinë, 6 prill 2026 – Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demiokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, janë takuar sot (e hënë) për të diskutuar për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit.

Si Kurti, ashtu edhe Abdixhiku, kanë bërë të ditur se takimi ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje, por e kanë lënë të hapur mundësinë e vazhdimit të bisedimeve për të arritur një konsensus që do t’i shmangte zgjedhjet e reja të parakohshme.

Pas takimit, i cili gati dy orësh, Kurti ka deklatruar se të dy palët duan t’i shmangin zgjedhjet e reja, duke theksuar se ato nuk janë zgjidhje për çështjen e presidentit, pasi rezultati i tyre pritet të jetë pakashumë i njëjtë me zgjedhjet e fundit.

Albin Kurti

“Na kanë mbetur edhe tri javë deri te zgjedhja e presidentit dhe për këtë duhet t’i maksimizojmë përpjekjet. Takimi shkoi në një atmosferë konstruktive dhe dashamirëse. Jemi të përcaktuar që t’i shmangim zgjedhjet e reja, sepse nuk do të ishin zgjidhje për numrin prej 80 deputetësh. Me fjalë të tjera është vështirë që ta paramendojmë një fushatë zgjedhore ku ne i risjellim platformat dhe programet tona me po të njëjtat zotime, të kërkojmë votën e qytetarëve për një rezultat që e dimë se nuk mund të jetë shumë ndryshe. Është sfidë tejet gjigante ajo që një parti t’i ketë 80 deputetë dhe të mund ta zgjedhë presidentin”, ka thënë ai.

Kurti është shprehur optimist se do të mund të arrijë marrëveshje politike.

“Vazhdoj të jem optimist se me takime të tilla do të mund të arrijmë marrëveshje politike, por nuk mund të themi se atë e kemi sot, veçse atmosfera konstruktive në njërën anë dhe dashamirësia që t’i shmangim zgjedhjet më bëjnë optimist për këto tri javët e mbetura. Uroj të mos i shfrytëzojmë deri në orën e fundit”,është shprehur ai.

abd

Edhe Abdixhiku ka deklaruar se LDK-ja vazhdon të mbajë qëndrimin e saj tashmë të njohur se pushteti nuk duhet të përqendrohet në një parti të vetme.

“LDK vazhdon të besojë që të tri pozitat nuk mund t’i takojnë një partie politike. Për çështje tjera kemi dakordim për konfidencialitet mes palëve”, ka thënë ai.

Por, Abdixhiku ka bërë të ditur se përpjekjet për arritjen e konsensusit për çështjen e presidentit të ri do të vazhdojnë.

“Po provojmë të gjejmë një zgjidhje të përbashkët konsensuale me takime dhe do ta ndjekim këtë rrugë sa herë të mundemi për të shmangur zgjedhjet”, ka thënë ai.

Sipas Abdixhikut, në takimet e deritashme është diskutuar për parimet dhe për procesin dhe e jo për emra konkretë të kandidatëve për president.

“Ende nuk kemi diskutime konkrete për pozicione. Diskutuam për natyrën dhe modalitetet e kësaj zgjidhjeje. Nuk kemi emra konkretë. Nuk kemi arritur në atë fazë”, ka thënë kreu i LDK-së.

“Njëherë duhet të merremi vesh rreth parimeve të procesit, pra a duhet të kemi një situatë ku të gjitha pozicionet institucionale i takojnë një partie politike, e më pas, nëse jo, si do të duket kjo marrëveshje”, ka shtuar ai.

Por, LVV-ja dhe LDK-ja, edhe në rast të arritjes së një marrëveshjeje midis tyre, nuk mund të sigurojnë pjesëmarrjen e së paku 80 deputetëve të votimin për presidentin e ri. Për këtë arsye, Kurti ka paralajmëruar se votimi për ndonjë kandidat pa një konsensus të gjerë mund të dështojë dhe vendi shkon në zgjedhje të padëshiruara.

“Vazhdoj ta kem qëndrimin e njëjtë që nëse kemi një emër të përveçëm dhe po synojmë të jenë vetëm 80 vetë në sallë, ky do të ishte rrezik tepër i madh. Ky nuk është caku ynë për të ecur përpara. Nevojiten të paktën 84-85 deputetë”, ka deklaruar ai.

Kurti ka thënë se ai do të përpiqet që të diskutojë edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamzën, ndonëse, siç është shprehur, qëndrimi I deritashëm i kësaj partie e bën të vështirë arritjen e një marrëveshjeje.

“PDK-ja asnjëherë nuk ka nxjerrë asnjë emër përpara nesh, vetëm ka kërkuar që ne t’i besojmë në mënyrë absolute dhe të verbër që të dy kandidatët të jenë të PDK-së dhe të mos na i tregojnë paraprakisht. Kjo e bën të pamundur marrëveshjen. Uroj që në komunikimet në vijim kjo të ndryshojë”, është shprehur ai.

Koalicioni qeverisës i udhëhequr nga LVV i ka 66 deputetë, 14 më pak se numri minimal i deputetëve që duhet të marrin pjesë në dy rundet e para të votimit për zgjedhjen e presidentit. Këto vota mund t’i sigurojnë bashkërisht LDK-ja dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por kjo e fundit deri më tani nuk është përfshirë fare në bisedimet për këtë çështje.

Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimin e saj të fundit, e ka mbyllur çështjen e pjesëmarrjes së deputetëve në votime. Ajo ka thënë se asnjë dispozitë kushtetuese nuk i obligon deputetët të marrin pjesë në votim.

Kuvendi I Kosovës ka kohë për zgjedhjen e presidentit të ri deri më 28 prill. Sipas Gjykatëës Kushtetuese, pas kësaj date Kuvendi shpërndahet me automatizëm dhe zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

(r.m.)