Më shumë kategori vizash do t’i nënshtrohen kërkesës për shqyrtimin e aktivitetit online

Për ju Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Më 25 mars 2026, Departamenti i Shtetit (DOS) njoftoi se shqyrtimi i aktivitetit online do t’u kërkohet edhe disa kategorive të tjera të vizave joemigruese: të gjitha A-3, C-3 (nëse bëhet fjalë për persona të punësuar për punë shtëpiake), G-5, H-3, vartësit H-4 të H-3, K-1, K-2, K-3, Q, R-1, R-2, S, T dhe U. Kjo direktivë do të hyjë në fuqi duke filluar nga data 30 mars 2026. DOS-i ka nxjerrë edhe më parë direktiva të ngjashme për aplikantët për vizë H-1B dhe vartësit H-4, të cilat hynë në fuqi më 15 dhjetor 2025, si dhe për aplikantët për vizat F, M dhe J, të cilat hynë në fuqi më 18 qershor 2025.

Të tre direktivat e paraqitura nga DOS-i u kërkojnë aplikantëve për vizë në kategoritë e sipërpërmendura që të ndreqin konfigurimet e privatësisë në të gjitha llogaritë e tyre në rrjetet sociale, duke i bërë “publike” ose “të hapura”, për t’ia lehtësuar DOS-it procesin e verifikimit. Kjo gjë përbën një zgjerim të rëndësishëm i cili do të zbatohet për një numër shumë më të madh aplikantësh për vizë, përfshirë bashkëshortët dhe të fejuarit/fejuarat e shtetasve të SHBA-së dhe personat në varësi të tyre (vizat K), punonjësit fetarë dhe personat në varësi të tyre (vizat R), si dhe aplikantët kryesorë dhe personat në varësi të tyre që kërkojnë viza humanitare, si viza U për viktimat e krimit dhe viza T për viktimat e trafikimit të qenieve njerëzore. Për vizat e fejesës K-1, tashmë është praktikë e zakonshme që në dokumentet e paraqitura në mbështetje të peticionit I-129F dhe aplikimit për vizë të përfshihen mesazhe të shkëmbyera midis të fejuarve përmes platformave të rrjeteve sociale, p.sh. Facebook. Në raste të tilla, aplikantët duhet të sigurohen që platformat e rrjeteve sociale të përdorura për shkëmbimin e mesazheve të deklarohen dhe të shqyrtohen paraprakisht para intervistës. Zbatimi i shqyrtimit të pranisë online për më shumë kategori vizash tregon gjithashtu që po i kushtohet një vëmendje më e lartë stafit shtëpiak të diplomatëve të huaj dhe zyrtarëve qeveritarë (A-3, C-3, G-5), si dhe punonjësve që marrin pjesë në programe shkëmbimi kulturor (Q, i njohur edhe si viza “Disney”). Në mënyrë të dukshme, nga kjo shtrirje përjashtohen vizat B, të cilat përbëjnë shumicën dërrmuese të vendimeve për vizat joemigruese, si dhe disa nga vizat më të zakonshme të biznesit, si vizat L (transferime brenda kompanisë), vizat E (tregtarë dhe investitorë sipas traktateve), vizat O (persona me aftësi ose arritje të jashtëzakonshme në shkencë, art, arsim, biznes apo sport) dhe vizat P (atletë, artistë dhe argëtues performues).

Siç kanë vënë në dukje shumë avokatë, fakti që disa kategori vizash nuk janë në listën për shqyrtim shtesë nuk do të thotë domosdoshmërisht se ato nuk po i nënshtrohen një kontrolli më të rreptë (ose se nuk do të shtohen në listë në të ardhmen). Kërkesa për ndryshim të konfigurimeve të privatësisë në rrjetet sociale: Aplikantëve në këto kategori u kërkohet të vendosin të gjitha profilet e tyre në rrjetet sociale si “publike”, në mënyrë që zyrtarët konsullorë të mund të shqyrtojnë përmbajtjen online gjatë procesit të verifikimit të sigurisë. Trajtimi i dhënies së vizave si çështje e sigurisë kombëtare: DOS-i thekson se çdo vendim për dhënien e një vize është një vendim që ka të bëjë me sigurinë kombëtare dhe se gjatë procesit të verifikimit DOS-i do të përdorë të gjithë informacionin në dispozicion, përfshirë edhe aktivitetin online. Potencial për vonesa në kohën e procesimit: Zgjerimi i procesit të verifikimit mund të kontribuojë në vonesa në procesimin e vizave, veçanërisht në rastet kur aplikantët kanë aktivitet online të gjerë ose kompleks.

Aplikantët duhet të shqyrtojnë përmbajtjen e aktivitetit të tyre publik online për të siguruar përputhje me informacionin e dhënë në formularin DS-160 dhe në të gjitha materialet mbështetëse. Për shembull, sigurohuni që i keni deklaruar emrat (handles) që keni përdorur në rrjetet sociale dhe që i keni përfshirë si prova mbështetëse për vizën K-1. Megjithëse nuk është e detyrueshme të kesh një llogari në rrjetet sociale, fshirja ose ndryshimi i informacionit online pas paraqitjes së aplikimit mund të shkaktojë shqetësime lidhur me besueshmërinë ose paraqitjen e rreme të fakteve.

Çdo rast paraqet fakte dhe rrethane unike, dhe ky artikull vlen thjesht si udhëzues i përgjithshëm. Ky artikull nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com