Haxhiu premton mbështetje institucionele për shqiptarët në Luginë të Preshevës

Prishtinë, 8 prill 2026 – Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njëherësh ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës, ka pritur sot në takim një delegacion nga Lugina e Preshevës, të udhëhequr nga deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, dhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani.

Zyra e kryeparlamentares Haxhiu njoftoi se gjatë takimit është diskutuar për mbështetjen e vazhdueshme institucionale për Luginën e Preshevës në fusha të ndryshme, përfshirë arsimin, kulturën dhe zhvillimin institucional, me theks të veçantë në përkrahjen për studentët dhe specializantët.

Në njoftim thuhet se në takim është diskutuar edhe për thellimin e bashkëpunimit si edhe për rolin e Kuvendit të Kosovës në adresimin e sfidave me të cilat përballen shqiptarët në Luginë.

“Ndër çështjet kryesore të ngritura ishin pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave të fituara në Kosovë, gjuha e urrejtjes dhe pengimi i qasjes në fonde, të cilat vazhdojnë të mbeten shqetësime serioze”, thuhet në njoftim.

Të dy palët kanë theksuar nevojën e vazhdimit të angazhimit institucional për adresimin e sfidave me të cilat përballen shqiptarët në Luginë dhe avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi.

(r.m.)