Uashington / Teheran, 13 prill 2026 – Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar të hënën eliminimin e anijeve iraniane që shkelin bllokadën e kalimit të anijeve në Ngushticën e Hormuzit.
Në një postim në Truth Social, Trump ka shkruar se anijet iraniane që kalojnë nëpër Hormuz do të goditen njësoj sikur anijet tregtare të drogës në det.
“Marina e Iranit është në fund të detit, plotësisht e shkatërruar – 158 anije. Ajo që nuk kemi goditur është një numër i vogël i atyre që ata i quajnë ‘anije sulmi të shpejtë’, sepse nuk i konsideronim kërcënim të madh. Paralajmërim: Nëse ndonjë nga këto anije i afrohet bllokadës sonë, ato do të eliminohen menjëherë, duke përdorur të njëjtin sistem vrasjeje që përdorim kundër tregtarëve të drogës në anije në det. Është i shpejtë dhe brutal”, ka shkruar Trump, pak pasi ka nisur bllokada, në orën 17:30 sipas kohës në Iran ose në orën 16:00 sipas kohës së Evropës Qendrore.
Ushtria e Shteteve të Bashkuara njoftoi se do të fillonte bllokadën e lëvizjes nga të gjitha portet dhe zonat bregdetare të Iranit, ndërsa Trump kishte thënë se lundrimi nëpër Ngushticën e Hormuzit do të bllokohej plotësisht.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) se do të lejojë të kalojnë nëpër ngushticë anijet që lundrojnë mes porteve joiraniane.
Njoftimi për bllokadën ndaloi trafikun e kufizuar të anijeve që kishte rifilluar në ngushticë pas armëpushimit dyjavor mes SHBA-së dhe Iranit. Raportet e para tregojnë për ndalim të lundrimit të të gjitha anijeve nëpër këtë rrugë ujore.
Irani: “Asnjë port në rajon nuk do të jetë i sigurt, nëse kërcënohen portet tona”
Ushtria e Iranit u kërcënua se asnjë port në Gjirin Persik dhe në Gjirin e Omanit nuk do të mbetet i sigurt, nëse kërcënohen portet iraniane.
“Siguria në Gjirin Persik dhe në Detin e Omanit është ose për të gjithë ose për askënd”, tha zëdhënësi i ushtrisë Iraniane, Ebrahim Zolfaghari.
“Asnjë port në rajon nuk do të jetë i sigurt”, shtoi ai.
Ky kërcënim erdhi pas njoftimit se ushtria amerikane do të fillojnte bllokimin e të gjitha porteve dhe zonave bregdetare iraniane.
Presidenti amerikan Donald Trump mori vendim për bllokimin e Ngushticës së Hormuzit pas dështimit të bisedimeve amerikano-iraniane për të arritur një marrëveshje për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme, në Islamabad.
(r.m.)