Tiranë, 13 prill 2026 – Sot në Tiranë u hap Samiti i Katërt i Diasporës, një ngjarje e rëndësishme kombëtare që i mbledh shqiptarët nga të katër anët e botës, në një platformë të përbashkët bashkëpunimi, zhvillimi dhe promovimi të Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Logo e samitit, “Përmes rrënjëve lartësohemi”, shpreh idenë e bashkimit të shqiptarëve kudo që ata jetojnë. Samiti bashkon përfaqësues të diasporës, institucioneve shtetërore, biznesit, akademisë dhe shoqërisë civile, me qëllim forcimin e lidhjeve mes Shqipërisë dhe shqiptarëve që jetojnë jashtë saj.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalën e hapjes së samitit, e cilësoi diasporën shqiptare si faktor kyç të zhvillimit ekonomik, kulturor dhe politik të vendit, si dhe të procesit të integrimit europian.
“Diaspora shqiptare është e pazëvendësueshme. Ajo nuk është thjesht një pjesë e historisë sonë, por forca që përcakton se sa larg mund të shkojmë si komb. Ajo duhet të jetë pjesë e mënyrës si mendojmë për shtetin, për shoqërinë dhe për të ardhmen”, tha Begaj.
“Shqipëria dhe shqiptaria nuk mbaron aty ku mbarojnë kufijtë tanë. Ajo është një zemër që rreh kudo ku ka një shqiptar. Kur flasim për Diasporën sot, nuk flasim më vetëm për nostalgji, për mall apo për numra. Flasim për ndikim global. Shqiptarët janë aty: nga majat e inteligjencës artificiale, tek institucionet ndërkombëtare, tek auditorët e universiteteve më të mira, te sipërmarrjet e suksesshme, te sallat e operacionit, te fushat e sportit dhe skenat e artit”, shtoi ai.
Begaj theksoi se diaspora nuk duhet parë vetëm si burim remitancash, por si partner zhvillimi.
“Diaspora ka qenë mushkëri ekonomike. Falë jush, shumë familje janë mbështetur financiarisht dhe kanë ecur përpara, por mendoj se koha e transfertave vetëm për konsum po mbyllet”, tha Begaj.
“Sot jemi në një hap tjetër, në një marrëdhënie të re, me një kontratë të re, një kontratë ku Diaspora nuk shihet më si burim remitancash, por si partner i vërtetë zhvillimi, ku shteti nuk kërkon vetëm kontribut, por hap dyert dhe krijon mundësi reale, ku lidhja nuk është vetëm e zemrës, por edhe e mendjes, e ekonomisë dhe e së ardhmes sonë të përbashkët”, shtoi ai.
Begaj bëri thirrje për investime të diasporës në Shqipëri.
“Synimi ynë është t’i kthejmë kursimet tuaja në kapitale zhvillimi, në investime reale në energji, turizëm, bujqësi, teknologji dhe ide të reja. Duam që Diaspora jonë të jetë partnere e së ardhmes së Shqipërisë, që të investoni mendjen dhe kapitalin këtu, në vendi tuaj”, tha Begaj.
Presidenti e theksoi edhe nevojën e mbrojtjes së identitetit kombëtar të shqiptarëve në diasporë.
“Bota arbëreshe është dëshmia e gjallë se identiteti shqiptar i mbijeton shekujve edhe kur është larg atdheut. Por sot sfidat janë të tjera. Prandaj, duhet të investojmë më shumë në gjuhën shqipe, në arsim, në rrjete profesionale dhe në qendra kulturore në botë, që brezat e rinj të mos e trashëgojnë Shqipërinë si një kujtim të largët, por si një lidhje të gjallë e të forte”, tha ai.
Begaj bëri thirrje edhe për forcimin e lidhjeve midis shqiptarëve kudo që ndodhen.
“E ardhmja jonë duhet të jetë histori lidhjesh. Një komb i vogël në hartë, por i madh në glob, nuk e ka luksin të jetë i ndarë. Dhe sfida jonë e përbashkët nuk është vetëm të flasim për Diasporën, por ta bëjmë Diasporën pjesë organike të sistemit tonë”, theksoi ai.

Samiti i Katërt të Diasporës do të zgjasë tri ditë – më 13, 14 dhe 15 prill. Diskutimet do të zhvillohen në 18 panele, në të cilat do të diskutohet për fuqizimin e bashkëpunimit ekonomik dhe për nxitjen e investimeve të diasporës në Shqipëri, si edhe për rolin e diasporës në promovimin e turizmit dhe imazhit të Shqipërisë në botë.
Do të diskutohet edhe për mundësitë e shfrytëzimit të njohurive dhe eksperiencës të diasporës në fushat e arsimit, shkencës dhe inovacionit në Shqipëri.
Gjatë samitit do të adresohen edhe sfidat dhe mundësitë e zhvillimit të qëndrueshëm në Shqipëri dhe krijimit të një vizioni për forcimin e lidhjeve mes shqiptarëve kudo që jetojnë.
Në ceremoninë e hapjes së samitit, Presidenti Bajram Begaj i dekoroi disa nga shqiptarët e suksesshëm jashtë vendit dhe figura ndërkombëtare që i kanë shërbyer Shqipërisë.
- Gentian Toshkëzi, Kalorës i Urdhrit Suprem të Shqiponjës
- Lorik Cana, Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut
- Klarita Gërxhani, Kalorës i Urdhrit të Lisit Akademik
- Shqiponjë Telhaj, Kalorës i Urdhrit të Lisit Akademik
- Markus Schuhmann, Oficer i Urdhrit të Skënderbeut
- Anders Lindber, Oficer i Urdhrit të Skënderbeut

(r.m.)