Nju Jork, 13 prill 2026 – Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Glauk Konjufca, njëherësh ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njoftoi se të dielën ka bërë homazhe për mikun e madh të Kosovës, ish-kongresistin Eliot Engel, dhe I ka shprehur ngushëllime familjes së tij në emër të udhëheqjes shtetërore të Kosovës.
Konjufca, në një postim në Facebook, ka thënë se ky ishte “një moment për të nderuar jetën dhe veprën e mikut të madh të shqiptarëve e të Kosovës, i cili për dekada me radhë qëndroi me përkushtim të palëkundur duke mbrojtur të drejtën e popullit tonë për çlirim, liri e pavarësi”.
“Dje, në New York, bëra homazhe në nderim të Kongresistit Eliot Engel dhe shpreha ngushëllimet në emër të Republikës së Kosovës për familjen e tij.
Ishte një moment për të nderuar jetën dhe veprën e mikut të madh të shqiptarëve e të Kosovës, i cili për dekada me radhë qëndroi me përkushtim të palëkundur duke mbrojtur të drejtën e popullit tonë për çlirim, liri e pavarësi.
Lavdi jetës dhe veprës së mikut tonë të madh. Kontributi i tij është në themel të miqësisë sonë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka shkruar Konjufca.
Gjatë homazheve, Konjufca shoqërohej nga disa prej aktivistëve shqiptarë në SHBA që kanë bashkëpunuar ngushtë me ish-kongresistin Engel në angazhimin e tij për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.
Eliot Engel u nda nga jeta të premten, më 10 prill. Ai ishte anëtar i Kogresit prej vitit 1989 deri në vitin 2021. Ka qenë edhe kryetar i Komitetit të Kongresit për Punëve të Jashtme.
Ai ka qenë ndër ligjvënësit e parë amerikanë që i kishin bërë thirrje administratës së Presidentit Bill Clinton që të ndërhynte për të parandaluar krimet e forcave serbe në Kosovë. Ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë e kishte cilësuar si suksesin më të madh të politikës së jashtme të SHBA-së dhe Perëndimit.
(r.m.)