Prishtinë, 14 prill 2026 – Presidenca e Kosovës njoftoi se Petrit Ajeti do të jetë drejtor i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) edhe pesë vjet të tjera.
Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu dhe kryeministri Albin Kurti, kanë nënshkruar vendimin për vazhdimin e mandatit të Ajetit.
“Ky vendim pasqyron vlerësimin institucional për profesionalizmin, përkushtimin dhe punën e deritanishme të z. Ajeti në udhëheqjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, si dhe besimin në vazhdimësinë e lidershipit të tij në forcimin e kapaciteteve të inteligjencës dhe sigurisë së Republikës së Kosovës. Gjatë mandatit të tij, AKI ka vazhduar të luajë rol kyç në mbrojtjen e rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe interesave strategjike të Republikës së Kosovës, në koordinim të ngushtë me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë të sigurisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Petrit Ajeti ka qenë drejtor i AKI-së në pesë vjetët e fundit. Ai ka përfunduar studimet në shkencat politike në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, kurse studimet master në Universitetin Metropolitan të Londrës.
Ajeti ka ndjekur programe të shumta të zhvillimit profesional në fushën e sigurisë në Gjermani dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Emërimi i drejtorit të AKI-së bëhet nga Presidenti i Republikës, me propozimin e kryeministrit.
(r.m.)