Prishtinë, 16 prill 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur mbrëmë në darkë pune Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.
Zyra e Kurtit njoftoi se gjatë takimit është diskutuar për procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian, si edhe në Këshillin e Evropës.
“Në darkë u diskutua për procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, përfshirë linjëzimin e plotë të politikës së jashtme me bllokun 27-anëtarësh si përcaktim strategjik, si dhe angazhimin dhe përkushtimin e Kosovës në përmbushjen e reformave. Në kontekst të integrimit evropian u diskutua edhe për procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, në takim është biseduar edhe situatën aktuale politike dhe për zhvillimet në Kosovë.
Më 9 prill, Sorensen ka qëndruar në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Pas takimit, ai ka deklaruar se me Vuçiqin ka diskutuar për avancimin e procesit të dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si edhe për Ligjin për të Huajt në Kosovë, zbatimi i të cilit u prit me reagime të ashpra në Serbi.
Sorensen ka diskutuar lidhur me çështjen e dialogut Kosovë-Serbi edhe me zyrtarin e lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin amerikan të Shtetit, Brendan Hanrahan, në muajin mars.
Ai ka thënë se me z. Hanrahan ka biseduar “për dialogun, arritjet e fundit dhe siguruam harmonizimin për hapat përpara”.
Dialogu Kosovë – Serbi ka ngecur pas sulmit të grupit të armatosur serb në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023. Prej atëherë nuk është mbajtur asnjë takim i zyrtarëver të lartë të dy shteteve. Takimi i fundit i Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel është zhvilluar disa ditë para sulmit në Banjskë, ku u vra një zyrtar i policisë së Kosovës, ndërsa gjatë shkëmbimt të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.
Pas këtij sulmi dialogu Kosovë – Serbi në nivelin politik është ngrirë.
(r.m.)