Irani shqyrton propozimet e SHBA-së dhe mundësinë për një rund të ri bisedimesh 

Teheran / Uashington, 16 prill 2026 – Zyrtarët iranianë pritet të analizojnë propozimet e reja amerikane dhe të vendosin për pjesëmarrjen eventuale në një raund tjetër të bisedimeve për vendosjen e paqes në rajon, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Tasnim.

“Pas takimit të sotëm të delegacionit pakistanez, të kryesuar nga shefi i ushtrisë së Pakistanit, Asim Munir, me zyrtarë iranianë, pala iraniane do të bëjë shqyrtimin e nevojshëm dhe më pas do të merret një vendim për rundin e ardhshëm të negociatave mes Iranit dhe SHBA-së”, raportoi Tasnim.

Shefi i ushtrisë së Pakistanit mbërriti në Teheran më 15 prill dhe u prit nga ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araqchi. Një burim i lartë iranian i tha agjencisë Reuters se Munir, i cili kishte ndërmjetësuar rundin e parë të bisedimeve, ndodhej në Iran “për të ngushtuar hendekun” mes dy palëve.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baqaei, tha në një konferencë për media në Teheran më 15 prill se që nga përfundimi i bisedimeve, Irani ka shkëmbyer mesazhe me SHBA-në përmes Pakistanit.

Mundësitë e vazhdimit të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Pakistani u krijuan pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, se lufta mund të përfundojë “shumë shpejt”, ndonëse ai ka bërë shpesh deklarata shpresëdhënëse që nuk u bënë realitet.

“Mendoj se është afër përfundimit… e shoh si shumë afër përfundimit”, tha Trump në një intervistë për Fox Business Neës të mërkurën.

Nënpresdienti amerikan, JD Vance, i cili e udhëhoqi delegacionin amerikan në rundin e parë të bisedimeve në Islamabad, tha se është bërë “përparim i madh”.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u tha gazetarëve se një rund i ri bisedimesh “me shumë gjasa” do të zhvillohet në kryeqytetin pakistanez.

Më 7 prill, SHBA-ja dhe Irani u pajtuan për një armëpushim dyjavor. Trump ka thënë se nuk ka në plan zgjatjen e armëpushimit pas 22 prillit.

Sipas raportimeve për takimin në Islamabad, çështje kyçe e mosmarrëveshjes mes SHBA-së dhe Iranit është program i Iranit për pasurimin e uraniumit. SHBA e akuzon Iranin se synon të krijojë një armë bërthamore, por Irani thotë se programi ka qëllime civile.

Një tjetër çështje e debatueshme është edhe Ngushtica e Hormuzit, rruga ujore nëpër të cilën kalon rreth një e pesta e furnizimeve globale me naftë. Pas përfundimit pa marrëveshje të bisedimeve në Islamabad, Donald Trump urdhëroi forcat amerikane në rajon ta bllokojnë qarkullimin nëpër këtë ngushticë të anijeve që shkojnë në Iran ose largohen nga Irani.

(r.m.)

Comment

*