Politikanët janë njësoj kudo në botë, ndryshimin e bëjnë qytetarët

Nga Ruben Avxhiu

Këtë javë u mbushën 50 vjet që kur Qyteti i Nju Jorkut e bëri të detyrueshme me ligj që dritaret e pallateve të banimit të kenë hekura mbrojtës në apartamentet ku jetojnë fëmijë nga 10 vjeç e poshtë..

Në atë kohë, vendimi u prit me protestë të madhe nga pronarët e pallateve që e panë vendimin si një ndërhyrje më shumë të qeverisë në punët e biznesit dhe premtuan se ligji do të anullohej shpejt.

Në fakt, jo vetëm që nuk është anulluar por ka shpëtuar qindar në mos mijëra jetë njerëzish.

Si shkruan “The New York Times”, në vitin 2025 katër fëmijë ranë nga dritaret në Qytetin e Nju Jorkut (QNY). Që të katërt shpëtuan. Vetëm në dy raste faji ishte i hekurave që nuk ishin puthitur mirë. Kushdo që i ka vendosur është përgjegjës përpara ligjit.

Për kuriozitet, si sjell në kujtesë Gazeta e njohur, vetëm në nëntë muajt e parë të vitit 1979, pati 47 rënie nga dritaret dhe 12 vdekje. Një vit më parë, për të njëjtën periudhë pati 101 vetë të rënë, 18 prej të cilëve vdiqën. Vetëm në vitin 1983, 97 fëmijë ranë nga dritaret dhe 25 humbën jetën.

Rënia drastike e këtre shifrave të frikshme është rezultat i një ligji të mirë parandalues, por të përforcuar nga një bashki të vendosur që ta zbatojë, që udhëhiqet nga siguria e qytetarëve dhe jo nga presioni i firmave dhe pronarëve të mëdhenj.

Ky përvjetor gjysëmshekullor rastisi në të njëjtën kohë me djegien e një pallati banimi në Tiranë që vetëm përpak nuk shkaktoi një tragjedi të tmerrshme njerëzore. Ky incident nuk është i pari dhe rrezikon të mos jetë i fundit i kërij lloji.

Në të gjitha llojet e vdekjeve të imagjinueshme, ajo e të djegurit të gjallë është më e tmerrshmja. Po nuk ka nevjë që të vdesin njerëz që ngjarje si këto të konsiderohen si tragjedi. Lexova se ndërtuesi do të rindërtojë apartamentet, por një shtëpi nuk është vetëm orendi, mure dhe tavan. Janë një mori sendesh vlera e të cilave më shumë se financiare është emocionale. Nga fotografitë e fëminis, kujtimet e njerëzve që nuk jetojnë më, librat e dashur dhe plot sende të tjera qëjanë pjesë e rëndësishme e identitetit tonë psikologjik dhe njerëzor. Këto humbje nuk ka ndërtes e qeveri që t’i anullojë.

Banorët e pallatit afër “Farmacisë 10” ishin me fat që zjarri ra ditën dhe pati një periudhë kohore të mjaftueshme për të shpëtuar numrin e vogël të atyre që ndodheshin në shtëpi. Një rast i tillë në mes të natës do të ishte një episod traumatic për të gjithë qytetin.

Banorët e Tiranës duhet të jenë më aktivë për të mbrojtur jetët dhe pasuritë e tyre. Si tregon historia e Nju Jorkut, vetëm presioni publk detyron shtetin, bashkinë dhe agjensitë publike  që të mbajnë anën e qytetarit dhe jo të pronarëve që mbushin xhepat e politikanëve.

Në Nju Jork çdo ndryshim është dukur i pamundur në fillim. Politikanët dhe pronarët e pallateve janë tallur me aktivistët e të rinjtë që kanë kërkuar masa e ligje mbrojtëse. Por në fund ka fituar siguria e qytetarëve.

Po të kishte ndodhur zjarri në Nju Jork, organizata qytetarësh do të kishin aktivizuar inxhinierë, avokatë, gazetarë, bamirës, e profesionistë të ndryshëm për të gjetur shkaqet, për të nxitur kontrolle në palate të ngjashme, për të ushtruar presion në të gjitha nivelet e pushtetit që ngjarjes t’i shkohej deri në fund. Historia e NjuJorkut është e mbushur me raste kur njerëzit kanë kthyer kokën nga ana tjetër. Por është edhe e pasur me organizime e shprehje të mëdha solidariteti që kanë transformuar ligjet dhe punën e bashkisë dhe autoriteteve.

Do të duhet pak kohë për shqiptarët që të ritifojnë ndjenjën e humbur të solidaritetit. Që të kuptojnë se fatet janë të lidhura dhe fatkeqësia e tjetrit sot do të bëhet nesër e jotja nëse nuk veproni për ta parandaluar.

Se përpara se të debatojnë me zjarr për Ngushticën e Hormuzit apo të dalin në protesta e manifestime mbështetëse për kauza e halle të botës, duhet të shohin detajet e pafundme që ua vështirësojnë jetën e përditshme, që ua vjedhin kohën, hapësirën, qetësinë, pastërtinë e ajrit dhe të mjediseve ku jetojnë, rrisin fëmijët, dhe kontribuojnë për shoqërinë.

Në çdo vend të botës, përfshi edhe demokracinë e njohura, politikanët dhe zyrtarët e shtetit janë të korruptueshëm dhe priren të vonojnë dhe shmangin punët. Bizneset synojnë fitimin sa më të madh. E vetmja gjë që bën dallimin është sjellja e qytetarëve. Aty ku ata organizohen për të mbrojtur të drejtat e tyre, qytetet përmirësohen, jeta është më e sigurtë dhe ekonomia lulëzon. Aty ku sundon cinizmi dhe apatia, qytetarët mbeten dele, politikanët bëhen gjithmonë e më të korruptuar dhe banalë, kurse parellinjtë gjithnjë e më shumë vulgarë e moskokëçarës. Kjo gjithmonë paguhet me jetë njerëzish, nerva të tendosura, shëndet të rrënuar dhe jetë të varfëruar.

Kërkon idealizëm, guxim por edhe ndërgjegjësim se fatet e njerëzve janë të ndërlidhura, që shoqëria të ndërtojë një shtet funksional që nuk fal ata që shkelin ligjin dhe mban anën e atij që ka të drejtë sado i vogël e i varfër të jetë. Të tre këta faktorë ende mungojnë prej vitesh në shoqërinë shqiptare.

Comment

*