Prishtinë, 16 prill 2026 – Ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prévot, qëndroi të enjten në Prishtinë, ku u prit nga ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, Kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca.
Në të gjitha takimet, autoritetet e Kosovës i vlerësuan marrëdhëniet midis dy vendeve dhe shprehën pritjet që Belgjika të mbështesë procesin e integrimit të Kosovës në strukturat europiane e euro-atlantike.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Alabulena Haxhiu, si njofton zyra e saj, ka ritheksuar “rëndësinë e avancimit të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian si edhe përkushtimin e palëkundur të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO”.
Kryeministri Kurti tha se Brukseli, si kryeqytet i trefishtë, është qendër tejet e rëndësishme për Republikën e Kosovës. Ai theksoi se anëtarësimi në BE është prioritet strategjik i Kosovës dhe pret që Belgjika të shtyjë përpara vendimin që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, si për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në NATO.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka theksuar pritjet për mbështetje nga Belgjika në rrugën e Kosovës drejt integrimit evropian. Ai ka shprehur gjithashtu pritjet për mbështetjen e aspiratave të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe për qartësimin e mëtejmë të rrugës drejt BE-së.
Konjufca ka thënë se Kosova është në pritje të pyetësorit të Bashkimit Evropian dhe ka shtuar se Kosova e pret këtë tash tre vjet e gjysmë.
Shefi i diplomacisë kosovare ka thënë se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen e vazhdueshme nga Belgjika. Ai i ka vlerësuar sidomos marrëdhëniet në fushën e politikës së jashtme.
“Në fushën e politikës së jashtme, Belgjika është një nga partnerët tanë më të rëndësishëm”, ka deklaruar ai gjatë konferencës së përbashkët për medie me homologun e tij belg.
Konjufca e ka shprehur edhe vullnetin dhe interesin të dyja vendeve për thellimin e bashkëpunimit, veçanërisht në fushat e ekonomisë, politikës së jashtme, sigurisë dhe mbrojtjes.
(r.m.)