Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt

Prishtinë, 17 prill 2026 – Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe të akuzuarit e tjerë në rastin për vrasjen e Liridona Ademajt.

Liridona Ademj u vra në nëntor të vitit 2023. Naim Murseli akuzohet për planifikimin e vrasjes, Granit Plava akuzohet se e ka kryer vrasjen, ndërsa Kushtrim Kokalla akuzohet se e ka njoftuar Murselin me Plavën.

Prokurorja Javorka Perlinqeviq, në fjalën e saj përfundimtare, e ka cilësuar rastin si vrasje të rëndë, të planifikuar më parë dhe të kryer në mënyrë të organizuar. Ndërkaq, mbrojtësit e tre të akuzuarve i kanë kontestuar akuzat, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova.

Shpallja e aktgjykimit lidhur me këtë rast që e ka tronditur opinion në Kosovë, do të bëhet të martën e ardhshme, më 21 prill. Trupi gjykues lidhur me këtë rast përbëhet nga gjyqtarët Fatime Dermaku, Gent Beka dhe Alban Ajvazi.

Në seancën e paraqitjes së fjalëve përfundimtare, prokurorja Javorka Perlinqeviq i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të tre akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen me burgim të përjetshëm. Ajo ka thënë se veprimi, mënyra e kryerjes tregojnë se ata kanë kryer një krim makabër, të planifikuar më parë dhe të kryer në prani të dy fëmijëve të mitur, njërit 6 dhe tjetrit 4 vjeç, ndërsa ka shtuar se sjellja e të akuzuarve pas ngjarjes dhe tentativat për manipulimin me publikun e rëndojnë pozitën e tyre.

Prokurorja Perlinqeviq ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor të akuzuarit i kanë paraqitur tri versione të ndryshme të ngjarjes, gjë që dëshmon përpjekjet e tyre për shmangie nga përgjegjësia penale duke bartur fajësinë te të tjerët. Ajo ka shtuar se gjatë gjykimit janë paraqitur prova materiale lidhur me rastin dhe janë marrë në pyetje të gjithë dëshmitarët që kishin njohuri për rrethanat e rastit.

Prokurorja e rastit, duke argumentuar motivin e vrasjes, ka thënë se në qershor të vitit 2022, familja Murseli e kishte paguar në Suedi një policë sigurimi në emër të viktimës Liridona Ademaj dhe menjëherë pas kësaj i akuzuari Naim Murseli i kishte kërkuar të akuzuarit Kushtrim Kokalla ta ndihmonte të gjente një mënyrë për vrasjen e Liridonës.

Edhe Leonard Ademaj, vëllai i Lidironës së ndjerë, ka kërkuar që të tre të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm. Ai ka thënë se sipas provave dhe dëshmive të paraqitura gjatë procesit gjyqësor, Naimi Murseli e ka organizuar vrasjen e Liridonës, së bashku me Kushtrim Kokallën, duke e zgjedhur Granit Plavën si ekzekutor.

“Është e qartë se Naimi ka kërkuar vrasjen e Liridonës, përmes Kushtrimit, i cili më pas e ka gjetur Granitin për ta kryer aktin”, ka thënë Ademaj.

Edhe avokati i familjes Ademaj, Leotrim Syla, ka kësrkuar që tret ë akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm. Ai ka thënë se gjatë procesit gjyqësor është provuar se vrasja e Liridona Ademajt është organizuar nga tre të akuzuarit.

Mbrojtësi i Naim Murselit, avokati Shemsedin Piraj, ka thënë se nuk e konteston veprën penale, por e konteston cilësimin juridik të saj. Ai ka thënë se gjatë procesit nuk është vërtetuar se vrasja është kryer me dashje siç thuhet në aktakuzë.

Piran ka thënë se gjatë procesit gjyqësor janë dëgjuar shumë dëshmitarë, por nuk ka pasur dëshmitarë okularë, përveç dy fëmijëve, prandaj gjykata duhet të vendosë në bazë të provave.

I akuzuari i parë, Naim Murseli, ka deklaruar se ai nuk e ka kryer, nuk e ka organizuar dhe nuk ka marrë pjesë në vrasjen e Liridona Ademajt, duke shtuar se madje as nuk e ka parë momentin e vrasjes, pasi ai dhe fëmijët kanë qenë duke ikur nga vendi i ngjarjes.

Avokati mbrojtës i Granit Plavës, Skender Gojani, ka thënë se Prokuroria nuk ka arritur të provojë se Plava është autor i veprës penale “vrasje e rëndë”.

Piraj ka thënë se nuk ekziston asnjë provë direkte, forenzike apo teknike, që e lidh të akuzuarin me ngjarjen dhe ka shtuar se nuk ka asnjë provë që e identifikon Plavën si personin që ka shtënë me armë. Ai ka thënë se prokuroria e ka ndërtuar një version të pabazuar në prova dhe ka theksuar se asnjë dëshmitar, në asnjë fazë të ngjarjes, nuk e ka parë Granit Plavën duke shtënë me armë dhe as nuk e ka identifikuar atë si autor të vrasjes.

I akuzuari Granit Plava e ka mbështetur deklaratën e avokatit Piraj dhe nuk ka shtuar diçka tjetër.

Edhe avokati i Kushtrim Kokallës, Ndrec Dodaj, e ka mohuar përfshirjen e Kokallës në rastin e vrasjës së Liridona Ademajt. Ai ka thënë se prokuroria është bazuar kryesisht në deklaratat e dhëna në polici dhe jo në prova, duke shtuar se prokuroria nuk ka arritur të identifikojë veprime konkrete që e bëjnë bashkëfajtor të akuzuarin Kokalla. Sipas tij, në asnjë provë nuk vërtetohet përfshirja e Kokallës në çfarëdo marrëveshjeje për kryerjen e veprës penale.

Edhe Kushtrim Kokalla është pajtuar me deklaratëen e avokatit të tij dhe asaj nuk I ka shtuar asgjë.

(r.m.)

Comment

*