Prishtinë, 17 prill 2026 – Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se Kryesisë së Kuvendit të Kosovës i ka dërguar kërkesë zyrtare për nderimin e mikut të madh të shqiptarëve, kongresistin e ndjerë amerikan Eliot Engel.
“Sot e dorëzova zyrtarisht kërkesën në Kuvendin e Republikës së Kosovës për organizimin e një ceremonie përkujtimore në nder të mikut të madh të shqiptarëve, Eliot Engel”, ka shkruar ai në Facebook.
Haradinaj ka kërkuar që Kuvendi të organizojë një seancë të veçantë përkujtimore për Engelin, të themelojë një çmim vjetor me emrin e Engelit dhe të vendosë një memorial përkujtimor për Engelin në hapësirën e Kuvendit.
Haradinaj e ka vlerësuar kongresistin Engel si njërin ndër zërat më të fuqishëm të Kosovës në historinë e saj. Ai ka thënë se i takon Kuvendit të shprehë mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për angazhimin e kongresistit Engel për lirinë e pavarësinë e Kosovës.
“Miku i madh i shqiptarëve, kongresisti amerikan Eliot Engel, gjatë gjithë angazhimit të tij jetësor e politik, u shqua për përkushtimin e palëkundur ndaj çështjes së Kosovës dhe të drejtave të popullit shqiptar. Ai ishte një nga zërat më të fuqishëm në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, duke luajtur rol të rëndësishëm në ndërgjegjësimin dhe mobilizimin e politikës amerikane në momentet vendimtare të historisë sonë”, ka thënë Haradinaj në kërkesën drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
Kreu i AAK-së ka theksuar se nderimi i miqve të Kosovës është detyrim institucional dhe kombëtar. Ai ka theksuar se kjo nismë është e rëndësishme për afirmimin e aleancës strategjike të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për afirmimin e kulturës së mirënjohjes shtetërore për miqtë e aleatët e Kosovës dhe për ruajtjen e kujtesës historike.
Eliot Engel ishte anëtar i Kogresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës prej vitit 1989 deri në vitin 2021. Një mandat ishte edhe kryetar i komitetit për politikë të jashtme.
Gjatë më shumë se tri dekadave të kaluara në Kongres, ai iu përkushtua çështjes shqiptare, veçanërisht çështjes së Kosovës.

(r.m.)