Kosova dhe Shqipëria synojnë të bashkëprodhojnë pajisje ushtarake

Prishtinë, 17 prill 2026 – Kosova dhe Shqipëria po diskutojnë për thellimin e bashkëpunimit në fushën e industrisë së mbrojtjes, përfshirë bashkëprodhimin e pajisjeve ushtarake dhe blerjet e përbashkëta.

Këtë e thanë ministri i Mbojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, dhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi, të premten, pas takimit të tyre në Prishtinë.

Maqedonci tha se dy shtetet tashmë kanë bërë hapa në zhvillimin e përbashkët të industrisë së mbrojtjes.

“Ne kemi bërë një kontratë për një fabrikë për prodhimin e municioneve”, tha ai, duke iu referuar marrëveshjes së arritur në dhjetor të vitit 2024 me prodhuesin shtetëror turk, MKE.

Maqedonci tha se Kosova është në koordinim edhe me partnerët e tjerë për çështjen e bashkëprodhimit.

“Po flasim për bashkëpunimin me Shqipërinë në fushën e industrisë, po flasim në dy drejtime. Është bashkëprodhimi, pra po shikojmë mundësitë se në cilat fusha mund të bashkëprodhojmë dhe kjo do të bëhet në periudhën në vazhdim kur të formojmë grupet dhe ekipet për identifikimin se çfarë mund të bashkëprodhojmë. Por, edhe në bashkëprokurim të sistemeve që na bëjnë të ndërveprueshëm. E kemi edhe në deklaratën me Shqipërinë dhe Kroacinë si ndër pikat kyç bashkëprodhimin, por edhe prokurimet e përbashkëta si tri vende që të na mundësojë të jemi të ndërveprushëm dhe pajisje cilësore”, tha Maqedonci.

Homologu i tij shqiptar, Ermal Nufi, i cilësoi si component thelbësor për mbojtjen bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes.

“Bashkëpunimi në këtë fushë është thelbësor për kapacitetet tona dhe garantimin e sigurisë të të dyja vendeve. Besoj se ky diskutim do të vijojë edhe më tej me të gjitha impiantet e prodhimit që po ngrihen në Kosovë dhe Shqipëri, si simbol jo vetëm të zhvillimit teknologjik dhe industrial, por edhe bashkëpunimit vëllazëror”, tha ai.

Qeveria e Kosovës ka thënë se në Jahoc të Gjakovës do të ndërtohet një fabrikë e municioneve, e cila pritet të fillojë prodhimin kah fundi I këtij viti.

Ndërkaq, Shqipëria, në fillim të këtij muaji, bëri hapat e parë drejt prodhimit të dronëve luftarakë, si edhe për ndërtimin e riparimin e mjeteve motorike lundruese ushtarake dhe civile, duke autorizuar arritjen e marrëveshjeve me kompani të mbrojtjes.

Bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes mes Kosovës dhe Shqipërisë parashihet edhe në deklaratën e nënshkruar vitin e kaluar nga Kosova, Shqipëria dhe Kroacia.

Beogradi e konsideron bashkëpunimin Kroaci-Kosovë-Shqipëri si aleancë ushtarake kundër Serbisë dhe kundër serbëve. Presidenti Vuçiq ka paralajmëruar furnizimin e Serbisë me armë të reja nha Kina, me motivacion se aleanca mes Kosovës, Shqipërisë e Kroasisë përbën rrezik për vendin e tij.

Kroacia, Shqipëria dhe Kosova i kanë hedhur poshtë pretendimet serbe, duke theksuar se marrëveshja midis tyre ka karakter mbrojtës.

Serbia, e cila është aleate e fortë e Rusisë, konsiderohet si faktor potencial i destabilizimit në Ballkan.

(r.m.)

Comment

*