Tiranë, 17 prill 2026 – Prokurori Dritan Prençi kërkoi të premten deklarimin fajtor dhe dënimin me 10 vjet burg për ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, i akuzuar për gjashtë raste të korrupsionit pasiv, pesë raste të shkeljes së barazisë në tendera dhe pastrim parash. Në aplikim të gjykimit të shkurtuar, SPAK kërkoi dënimin e tij përfundimtar me 6 vjet e 8 muaj burg.
Në seancën e konkluzioneve përfundimtare, Prençi kërkoi që edhe 20 të pandehurit e tjerë të shpallen fajtorë për akuzat e korrupsionit dhe shkeljes së barazisë në tendera.
Për ish drejtorin e Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në ARRSH, Erald Elezi, i cili mori drejtimin e KESH në vitin 2024, u kërkua dënimi me 1 vit burg. Masa dënimi të njëjta me Elezin u kërkuan edhe ndaj ish-drejtorit të ARRSH-së, Gentjan Gjyli, i cili në kohën kur akuzohet se ka kryer shkelje të barazisë në tendera, ka mbajtur pozicionin e drejtorit të Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në atë institucion.
Për dy të pandehurit për korrupsion aktiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale, Ervis Lami dhe Brunilda Luli, prokurori Prençi tha se kanë qenë bashkëpunues gjatë hetimit. Ai kërkoi nga 7.6 vjet burg për Lamin dhe Lulin, masë e cila reduktohet në 5 vjet burg për shkak të gjykimit të shkurtuar. Po ashtu, u kërkua pezullimi dënimit dhe vendosja e tyre në shërbim prove për një periudhë 4-vjeçare.
Në përfundim, Prençi kërkoi të konfiskohen të gjitha pasuritë e sekuestrruara, si dhe vlerat monetare prej 15 mijë euro, 35 mijë paund dhe mbi 1 milion lekë që i janë gjetur Berberit.
Për të pandehurin Valter Begaj dhe shoqëritë “Net Group” dhe “DAAM”, është duke vijuar shqyrtimi me procedurën e gjykimit të zakonshëm.
Sipas prokurorit të çështjes, Dritan Prençi, nga hetimi janë evidentuar fakte penale në shtatë procedura prokurimi, të zhvilluara në vitet 2020-2022, në Agjencinë për Eficencën e Energjisë dhe Autoritetin Rrugor Shqiptar, gjatë kohës kur titullar i autoritetit kontraktor ka qenë i pandehuri Evis Berberi. Ndërsa në një procedurë prokurimi, i pandehuri Evis Berberi ka qenë kryetar i komisionit të vlerësimit të ofertave. Tetë procedura prokurorimi që janë hetuar nga SPAK rezulton që së bashku, të kenë pasur fonde me vlerë totale prej rreth 526 milionë lekëve.
Nga hetimi ka rezultuar se tenderat janë fituar nga kompania Net – Group sh.p.k., në zotërim të të pandehurit Valter Begajt dhe vlerat monetare janë përfituar nga Berberi në mënyrë të tërthortë përmes shoqërisë DAAM sh.p.k., që sipas SPAK, posedohet de facto prej tij. Po ashtu, sipas prokurorit Prençi, janë konstatuar edhe transaksionet e kryera me qëllim që Berberi të fshihte gjurmët e pronësisë së kësaj shoqërie, në vitin 2019 duke e ka kaluar fiktivisht pronësinë tek të pandehurit Brunilda Buli, Valter Begaj dhe Ervis Lami.
Prokuroria vlerëson se në procedurat e tenderimit janë evidentuar fakte që vërtetojnë kryerjen e veprës penale të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. Për këtë vepër penale akuzohen anëtarët e komisionit të përllogaritjes së fondit limit, njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave.
Sipas SPAK, këto veprime të paligjshme janë kryer në lidhje me përllogaritjen e fondit limit, hartimin e dokumenteve standarde të tenderit, si dhe për vlerësimin dhe shpalljen fitues të shoqërisë Net Group sh.p.k, në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit, duke e favorizuar atë në shtatë raste.