Tiranë, 17 prill 2026 – Prokuroria e Fierit njoftoi të premten më 17 prill përfundimin e hetimeve ndaj një punonjësi policie të njësisë së posaçme “Shqiponja” pranë Drejtorisë së Policisë Vendore Fier, i cili akuzohet për përdorimin e një nxënësi shkolle për shitje të lëndëve narkotike.
Sipas prokurorisë, efektivi i policisë, Brian Dëma, me qëllim shitjen e lëndës narkotike, ka bërë të gjitha veprimet e mundshme për të rekrutuar një nxënës, i cili ishte njëherazi dhe përdorues i lëndëve narkotike.
Nga verifikimet ka rezultuar se i mituri është pjesë e një familjeje me probleme sociale dhe ekonomike.
Duke shfrytëzuar varësinë e të miturit për lëndët narkotike, i pandehuri fillimisht e ka rekrutuar duke i premtuar se do t’i jepte informacione policore. Ndërkohë, nga hetimi nga rezultuar se Dëma ka pasur si qëllim kryesor që ta perdorte të miturin për shitjen e narkotikëve.
“Nga hetimi proaktiv i çështjes rezultoi se i pandehuri B.D. me veprime aktive, të kryera me dashje, ka kryer mospërmbushje të rregullt të detyrës duke cënuar interesat e shtetit, rendit publik dhe të miturit E.H.”, konstaton prokuroria.
Çështja penale në ngarkim të efektivit Dëma është dërguar për gjykim për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, ‘Shpërdorimi i detyrës’ dhe ‘Shtytja e tëmiturit në krim’.