Prishtinë, 17 prill 2026 – Në Kuvendin e Kosovës të premten u votua për dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, por asnjëri prej kandidatëve nuk i mori votat e nevojshme.
Në raundin e katërt të votimit mbetën tre kandidatë, pasi kandidatët tjerë u eleminuan nga gara në tri nraundet e para të votimit, pasi morën numrin më të vogël të votave. Por, as në këtë raund asnjëri prej të treve nuk e fitoi numrin e nevojshëm të votave. Jorida Xhafaj i mori 62 vota, Emine Abdyli-Pozhari 60 vota dhe Flamur Mrasori 51 vota.
Sipas Kushtetutës kandidatët për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese duhet të votohen nga dy të tretat e deputetëve të pranishëm dhe që votojnë.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se konkursi për dy gjyqtarë të Kushtetueses duhet të përsëritet,
“Në bazë të raportit të komisionit zgjedhor, konstatoj se asnjëri kandidat nuk i mori votat e mjaftueshme për t’u propozuar për gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese andaj duhet ta përsërisim konkursin. Kërkohet nga komisioni përkatës që t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme për publikimin e thirrjes/ftesës për propozimin e dy kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese”, tha Haxhiu.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës aktualisht i ka shtatë gjyqtarë, aq sa nevojiten për vendimmarrje. Dy pozita kanë mbetur të lira prej dhjetorit të vitit 2024, kur u ka përfunduar mandati ish-kryetares Besa Caka-Nimani dhe gjyqtares Selvete Gërxhaliu-Krasniqi.
Mandati i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetueses zgjat 9 vjet.
(r.m.)