Kurti e Abdixhiku nuk arrijnë marrëveshje për presidentin e ri të Kosovës

Prishtinë, 20 prill 2026 – Ka përfunduar pa marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës edhe një takim i kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

Të hënën, pas takimit të tyre, Kurti tha se bisedimet kanë rezultuar të pasuksesshme sepse Abdixhiku nuk e ka pranuar ofertat e tij për bashkëqeverisje. 

“Më duhet të them se bisedimet ishin të pasuksesshme sepse asnjëra nga ofertat tona nuk u pranua nga kreu i LDK-së”, tha Kurti.

Ai tha se LDK-së i janë ofruar pozita e zëvendëskryeministrit dhe katër ministri.

“Ne ofruam që LDK-ja në bashkëqeverisje me LVV-në dhe partnerët tjerë ta ketë zëvendëskryeministrin, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri të tjera”, tha Kurti.

Ai tha se pozita për pozitën e zëvendëskryeministrit ishte pikërisht për Abdixhikun.

“Unë kam preferuar që zëvendës i imi të bëhet pikërisht Abdixhiku, dhe në këtë mënyrë të fillojmë kapitull të ri bashkëpunimi mes LDK-së dhe LVV-së”, u shprej ai.

Sipas Kurtit, LDK-së postin i është ofruar edhe pozita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

“Kryetarja e Kuvendit, Haxhiu do të bëhej nënkryetare e Kuvendit dhe, në këtë mënyrë, do ta kishim qeverinë dhe nuk do të kishim nevojë për zgjedhje. Ndërkohë LDK-ja do ta kryesonte Kuvendin”, tha ai.

Kurti tha se LVV-ja nuk ka kërkuar votë për Glauk Konjufcën, sepse nuk synon t’I mbajë tri pozitat kryesore, por Konjufca është propozuar sepse partitë opozitare nuk kanë propozuar asnjë kandidat tjetër.

“Ne nuk e kemi pasur me çdo kusht Konjufcën. Ne nuk kemi qenë asnjëherë të interesuar që të jemi total te tri pozitat e larta të shtetit, por meqë nuk kishte asnjë propozim, ishte detyrë e jona të propozojmë”, tha ai.

“Përveç kësaj, ne jemi të vetmit që kemi sjellë emra. Vetëm ne po flasim për emra të përveçëm, të tjerët jo”, shtoi ai.

Kurti theksoi se refuzimi i LDK-së shpie drejt zgjedhjeve të tjera të parakohshme, prej të cilave ai nuk pret ndryshime që do ta ndryshonin shumë strukturën politike të Kuvendit.

“Në këtë mënyrë Kosova po shkon drejt zgjedhje të reja, të panevojshme, që i humbin kohë shtetit dhe buxhetit të Kosovës mjete. Së paku 10 milion euro kushtojnë zgjedhjet e reja dhe nuk do të sjellin zgjidhje sepse nuk do ta kemi numrin prej 80 deputetëve për ta bërë kuorumin. Është dashur të përpiqemi më shumë dhe nuk është dashur të refuzohet oferta jonë për qeverisje”, theksoi ai.

Kurti bëri të ditur se ai i ka bërë ftesë për takim edhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Bedri Hamza, por theksoi se oferta për bashkëqeverisje nuk vlen për këtë parti.

“Unë ia dërgova një mesazh kryetarit të PDK-së, Bedri Hamzës, dhe të shohim se si është e mundur të ecim përpara. Por oferta për bashkëqeverisje që iu ofrua LDK-së ka qenë ekskluzive për LDK-në”, u shpreh ai.

Por, Kurti la të kuptohet se nuk pret ndonjë marrëveshje me PDK-në, duke parë pozicionin e kësaj partie për presidentin.

“PDK-ja ka kërkuar nga unë që të bëj marrëveshje politike ‘blanko’ ku ata i propozojnë dy kandidatët [për president] dhe ne ua votojmë”, tha ai.

Ndërkaq, Abdixhiku tha se oferta e LVV-së është e papranueshme për LDK-në, sepse Kurti ka insistuar që pozita e presidentit të vendit t’i mbetet partisë së tij.

“Prej fillimit LDK-ja ka qenë e qartë që presidenti s’duhet të jetë zgjatim i qeverisë. S’mund të ketë një qeveri që e ka edhe presidentin e një partie, pra t’i ketë tri institucionet”, tha ai.

Abdixhiku tha se ai ka refuzuar të diskutojë me Kurtin për emra të kandidatëve për president.

“Unë refuzova të flasim për çdo tjetër pa trajtuar çështjen e presidentit. S’mund të propozojmë emër për dikë që insiston që kjo pozitë t’i takojë partisë së tij”, ka deklaruar Abdixhiku.

Dhe, sipas tij, Kurti “insistonte që pozita e presidentit t’i mbetet LVV-së.

Kryetari i LDK-së i cilësoi të mbyllura bisedimet për zgjedhjen e presidentit dhe paralajmëroi fillimin e përgatitjeve të partisë që e udhëheq për zgjedhje të reja.

“Tani do t’i kthehem LDK-së dhe do t’i kthehem misionit të madh të bashkimit të së djathtës brenda LDK-së”, tha ai.

I pyetur nëse ka një përafrim mes LDK-së dhe ish-presidentes Vjosa Osmani, Abdixhiku tha se pikërisht ky është qëllim i tij.

“Është qëllimi im dhe do të punoj për këtë qëllim deri në ditën e fundit”, theksoi ai.

Kuvendi i Kosovës ka afat ta zgjedhë presidentin e ri deri më 28 prill.

Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë. Por, për një votim të vlefshëm duhet të jenë të pranishëm në sallë 80 deputetë.

Duke qenë se asnjë bllok politik nuk mund ta sigurojë këtë kuorum, marrëveshja e partive politike është e domosdoshme për zgjedhjen e Presidentit.

(r.m.)

Comment

*