Haxhiu e autorizoi dërgimin e FSK-së në Gazë

Prishtinë, 20 prill 2026 – Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës Albulena Haxhiu ka autorizuar dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në operacion ndërkombëtar paqeruajtës, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, njoftoi Zyra e Presidentes së Kosovës.

Në njoftim thuhet se zonja Haxhiu ka thënë se Kosova “e kupton sigurinë si detyrim ndaj qytetarëve të saj dhe si përgjegjësi ndaj paqes dhe rendit ndërkombëtar”.

Ajo ka thënë se Kosova që dikur kishte nevojë për mbështetjen e të tjerëve, tani merr përgjegjësi dhe jep kontribut në skenën ndërkombëtare.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është një institucion i ndërtuar me profesionalizëm dhe standarde të larta, e gatshme të shërbejë krah partnerëve tanë strategjikë. Pjesëmarrja në misione të tilla dëshmon pjekurinë shtetërore të Republikës sonë dhe vendin që Kosova po e forcon çdo ditë në arenën ndërkombëtare”, ka thënë jo.

Vendndimi për dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, si pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza, është miratuar nga Kuvendi i Kosovës.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se dërgimi i ushtarëve të Kosovës në operacione të tilla krijon besim te aleatët ndërkombëtarë.

“Dërgimi i FSK-së në këtë mision përfshin pjesëmarrjen e personelit të FSK-së në kuadër të komandës së unifikuar të forcës ndërkombëtare stabilizuese, e cila për mision ka të mbështesë zbatimin e planit gjithëpërfshirës për t’i dhënë fund konfliktit në Gaza, gjithnjë duke u bazuar në mandatin e forcës ndërkombëtare stabilizuese”, ka thënë ai në seancën e Kuvendit kur është miratuar ky vendim.

(r.m.)

Comment

*