Prishtinë, 21 prill 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka shprehur aspiratën e Kosovës për anëtarësimi i Kosovës në NATO.
Të martën, në takim me përfaqësuesin e përhershëm të SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, në Prishtinë, Kurti ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO do të ishte kontribut i rëndësishëm për paqen dhe sigurinë në Ballkan.
“Kryeministri Kurti vlerësoi se prania e NATO-s në Republikën e Kosovës, dhe veçmas ajo e Shteteve të Bashkuara, mbetet kruciale për paqen dhe sigurinë, jo vetëm në vend, por edhe në rajon. Ai theksoi se përshpejtimi i anëtarësimit të Kosovës në NATO do të ishte kontribut i rëndësishëm dhe do të shërbente si garantues afatgjatë për paqen dhe sigurinë në Ballkan”, thuhet në komunikatën e zyrës së Kurtit, pas takimit me ambasadorin Whitaker.
Në njoftim thuhet se Kurti e ka falënderuar ambasadorin Whitaker për “mbështetjen jetike, të vazhdueshme dhe të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës së Kosovës”.
Ai e ka vlerësuar bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin me SHBA-në në fushë të mbrojtjes.
“Teksa shprehu mirënjohje, kryeministri Kurti foli për bashkëpunimin e ngushtë dhe partneritetin me SHBA-në, përfshirë trajnimet dhe edukimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe rritjen e kapaciteteve mbrojtëse. Ai theksoi se Kosova, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është e angazhuar për stabilitet, paqe dhe siguri në rajon dhe më gjerë”, thuhet në komunikatë.
Kurti e ka cilësuar si “të brishtë” situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Ai ka theksuar se Serbia, e cila gëzon mbështetjen nga Rusia dhe Kina, përbën kërcënim për stabilitetin afatgjatë në rajon.
“Duke folur për situatën e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, kryeministri tha se ajo mbetet e brishtë për shkak se Serbia, e mbështetur nga Rusia dhe Kina, vazhdon të ndjekë politikë hegjemoniste rajonale. Ai foli edhe për armatosjen e fqinjit verior, me theks blerjet e fundit nga Rusia dhe Kina, si kërcënime për stabilitetin afatgjatë rajonal dhe fqinjësinë e mirë në Ballkan. Në këtë kontekst, kryeministri përmendi bazat e përparme operacionale të Serbisë përreth kufirit me Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Në takimin e Kurtit me ambasadorin Whitaker ka marrë pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci.
Ambasadori Whitaker është takuar të martën në Prishtinë edhe me ushtruesen e detyrës së Prersidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, dhe me komandantin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin Ozgan Ulutash.
Gjenerali Ulutash e ka vlerësuar kontributin e gjatë dhe të rëndësishëm të Shteteve të Bashkuara në misionin e NATO-s në Kosovë.
Kosova do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, e cila është pjesë e Bordit të Paqes, të themeluar nga presidenti amerikan, Donald Trump, me qëllim ruajtjen e paqes në botë.
Të hënën, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës Albulena Haxhiu, e autorizoi dërgimin e FSK-së në operacion ndërkombëtar paqeruajtës në Gazë.
(r.m.)