Donald Trump e vlerëson rolin e Kosovës në përfundimin e luftërave në botë

Prishtinë, 21 prill 2026 – Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vlerësuar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes.

Në një letërpërgjigje për ish-presidenten Vjosa Osmani, ai ka thënë se përfshirja e Kosovës luan rol të jashtëzakonshëm në përfundimin e luftërave në botë.

“Faleminderit për letrën e juaj shumë dashamirëse. Vazhdoj të admiroj lidershipin tuaj të guximshëm dhe vendimtar në emër të popullit të Kosovës. Kemi arritur shumë së bashku në një periudhë të shkurtër kohore – veçanërisht bashkëpunimin tonë në kuadër të Bordit të Paqes. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë nismë të re premtuese do të luajë një rol të jashtëzakonshëm në përfundimin e konflikteve në mbarë botën, duke promovuar njëkohësisht lirinë dhe mirëqenien për të dy popujt tanë”, thuhet në letrën që e mban datën 8 prill, të publikuar të martën nga ish-presidentja Osmani në profilin e saj në Facebook.

Presidenti amerikan e ka vlerësuar edhe rolin e zonjës Osmani, të cilën e ka cilësuar si “mike të besueshme të SHBA-së”.

Trump ka thënë se zonja Osmani do të lërë pas “trashëgimi të rëndësishme që do të formësojë të ardhmen e vendit, rajonit të Ballkanit, dhe gjithë Evropës”.

Zonja Osmani e ka falënderuar Presidentin Trump. Ajo ka thënë se e mirëpret vazhdimin e bashkëpunimit me z. Trump, duke theksuar lidhjen e forte të Kosovës me SHBA-të.

“Lidhjen e fortë të Kosovës me Amerikën do ta ruajmë bashkë, sot e përherë! Falënderoj Presidentin Trump për letrën e dërguar në përfundim të mandatit tim, të cilën e pranova mbrëmë, si dhe për vlerësimin që i ka bërë punës sonë! Ashtu siç thekson edhe Presidenti i SHBA-ve në këtë letër, mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim”, ka shkruar Osmani.

Kosova është pjesë e Bordit të Paqes, nismë e Trumpit për përfundimin e luftës në Gazë. Ish-presidentja Osmani ishte nënshkruese e kartës themeluese të këtij bordi.

Kosova do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën. Të hënën, ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës Albulena Haxhiu, e autorizoi dërgimin e FSK-së në operacion ndërkombëtar paqeruajtës në Gazë.

(r.m.)

Comment

*