Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë zgjeron radhët me gjashtë anëtarë të rinj

Adnan Mehmeti

New York, 12 prill 2026 – Në jubileun e saj të 25-vjetorit, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë pranoi gjashtë anëtarë të rinj. Ky akt përfaqëson jo vetëm një zgjerim të radhëve, por edhe një vazhdimësi të natyrshme të misionit në mbështetje të krijuesve dhe të fjalës shqipe në Amerikë. Anëtarët e rinj vijnë nga vende të ndryshme dhe sjellin përvoja të larmishme në krijimtari.

Lutfi Brami

I lindur në Berat, Lutfi Brami kreu arsimin fillor dhe të mesëm në vendlindje, ndërsa studimet e larta në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin Histori-Filologji, dega Gjuhë-Letërsi. Më pas ndoqi edhe studime pasuniversitare në filozofi. Ka qenë aktiv në shtypin e kohës me shkrime publicistike, reportazhe dhe krijime letrare. Që prej vitit 2010 jeton në Filadelfia, ku është i angazhuar në veprimtaritë e shoqatës “Bijtë e Shqipes”. Është autor i vëllimit poetik “Një erë e dalldisur” dhe vijon të punojë për botime të reja.

Valbona Ahmeti

E lindur në Dubofc të Drenicës, komuna e Vushtrrisë, Valbona Ahmeti kreu arsimin fillor në vendlindje dhe atë të mesëm në Vushtrri. Studimet i ndoqi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, në degën Fizikë-Kimi. Pas një periudhe pune si mësimdhënëse në Kosovë, në vitin 1999 emigroi në Kanada, ku jeton dhe punon në Montreal në sistemin arsimor. Është gjithashtu e angazhuar në mësimin e gjuhës shqipe në shkollën “Dardania” në Laval. Ka botuar tre përmbledhje poetike: “Heshtja që vret”, “Drenicë, zë i lirisë” dhe “Dua t’i puthë dashuritë”. Krijimet e saj janë botuar në një sërë gazetash dhe revistash, si dhe janë përfshirë në disa antologji mbarëkombëtare.

Shpresa Ymeraj

E lindur në Vlorë dhe aktualisht jeton në Pennsylvania, Shpresa Ymeraj është autore e librit “Dashuria dhe Dhoma e Errët” (Outskirts Press), një përmbledhje ninëzash. Ajo ka ndjekur studime në fushat e biznesit dhe të letërsisë angleze me fokus në krijimtarinë letrare, duke kontribuar si redaktore dhe bashkëpunëtore në revista si “Widener-Ink” dhe “The Blue Route”, si dhe në podkastin “The English Suite”. Shkrimet e saj në shqip dhe anglisht janë botuar në media të ndryshme dhe janë vlerësuar me çmime letrare.

Shpresa Thaçi Paloja

E lindur në Sibovc të Kastriotit (Obiliqit), Shpresa Thaçi Paloja kreu arsimin fillor në vendlindje dhe atë të mesëm në drejtimin e mjekësisë në Prishtinë, ndërsa studimet e larta në Worcester, Massachusetts. Është autore e dy përmbledhjeve poetike: “Përtej Oqeanit” dhe “Një lumë lotësh”. Poezitë e saj janë përfshirë në antologji të ndryshme në Shqipëri, Kosovë dhe Francë, si dhe në aktivitete ndërkombëtare letrare.

Liljana Lico

E lindur në Përrenjas, Liljana Lico përfundoi shkollën e mesme artistike “Onufri” për kanto dhe më pas u diplomua në Universitetin “Aleksandër Xhuvani” për mësuesi. Pas një përvoje të gjatë si mësuese në Shqipëri, emigroi në Shtetet e Bashkuara, ku jeton dhe punon në Waterbury, Connecticut. Ka përfunduar studime të mëtejshme në fushën e arsimit dhe letërsisë për fëmijë. Prej vitesh kontribuon edhe në mësimin e gjuhës shqipe në shkollën “Shqiponjat”. Krijimtarinë letrare e ka nisur herët, ndërsa vitet e fundit është përqendruar në poezi dhe veçanërisht në fabul. Ka të botuar gjithashtu përmbledhjen poetike “Përjetime Poetike”.

Xhemi Nokshiqi Muzai

E lindur dhe e shkolluar në Shkodër, Xhemi Nokshiqi Muzai përfundoi shkollën artistike për kanto dhe studimet për Gjuhë-Letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Aktualisht jeton në New Jersey. Është autore e këngëve dhe pjesëmarrëse në antologji të ndryshme letrare. Ka botuar librat “All Because of You” dhe “Meteorë”. Vijon të krijojë në shqip dhe anglisht dhe të marrë pjesë në aktivitete letrare ndërkombëtare.

Pranimi i këtyre gjashtë autorëve përforcon më tej rolin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë si një lidhje e rëndësishme për krijuesit shqiptarë në diasporë. Duke përfshirë zëra të rinj dhe përvoja të ndryshme, ajo vijon të mbetet një vendtakim i krijuesve shqiptarë ku fjala shqipe kultivohet, zhvillohet dhe përcillet te lexuesi.