Uashington, 26 prill 2026 – Një burrë i armatosur depërtoi përmes sigurimit në një gala mbrëmje, ku po merrte pjesë presidenti amerikan Donald Trump, duke shkaktuar panik derisa agjentët e sigurisë e kapën dhe arrestuan, si dhe e larguan sigurt presidentin nga salla e hotelit.
Policia tha se një 31-vjeçar nga Kalifornia u arrestua natën e 25 prillit, pasi qëlloi me armë gjahu ndaj një agjenti të shërbimit sekret në një pikë kontrolli në hotelin Washington Hilton.
Agjentët e shërbimit sekret e nxorën me shpejtësi Trumpin nga salla. Të ftuarit me kostume elegante dhe fustane u panë duke u fshehur nën tavolina në ato çaste hutimi të madh.
Sipas ushtruesit të detyrës së prokurorit të përgjithshëm, Todd Blanche, besohet se burri kishte në shënjestër Trumpin dhe zyrtarë të tjerë të administratës që ndodheshin në eventin formal.
Në këtë ngjarje po merrnin pjesë dhjetëra gazetarë nga Uashingtoni, drejtues biznesesh dhe figura të tjera politike.
“Duket se ai kishte në shënjestër persona që punojnë në administratë, me gjasë duke përfshirë edhe presidentin”, tha Blanche për NBC News.
Të shtënat
Incidenti ndodhi pak para se Trump të mbante fjalimin e tij kryesor në darkën e Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë, një event i rëndësishëm në kalendarin politik dhe mediatik të Uashingtonit.
U dëgjuan disa krisma të forta të ndjekura nga thirrje “ka të shtëna, të shtëna”, gjë që shkaktoi panik të përkohshëm në gjithë sallën.
Derisa Policia e rrethoi hotelin, helikopterët fluturonin mbi të dhe njësitë taktike siguruan perimetrin.
Në një deklaratë në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se i dyshuari ishte i armatosur me disa armë dhe se të paktën një oficer policie u qëllua, por shpëtoi falë jelekut antiplumb.
Nuk u qëllua ndaj burrit të armatosur, i cili arriti të kalojë dy pika kontrolli para se të arrestohej.
Shefi i përkohshëm i policisë së Uashingtonit, Jeffery Carroll, u tha gazetarëve se i dyshuari ishte i armatosur me një armë gjahu, një pistoletë dhe disa thika, dhe nuk ishte i njohur për policinë e qytetit.
“Ai u qëllua nga një distancë shumë e afërt me një armë shumë të fuqishme, por jeleku e kreu punën e vet”, tha Trump, duke e përshkruar gjendjen e oficerit si stabile dhe me “gjendje të mirë shpirtërore”.
Zëdhënësi i Shërbimit Sekret, Anthony Guglielmi, tha më vonë se oficeri ishte liruar nga spitali.
Në intervistën e tij për NBC Neës, Blanche tha se i dyshuari udhëtoi nga Kalifornia në Çikago dhe më pas në Uashington, ku u regjistrua si mysafir në hotelin Washington Hilton.
Hetimi
Zyrtarët thanë se një hetim është duke u zhvilluar, dhe se agjentë federalë që po i marrin në pyetje dëshmitarë dhe po kontrollojnë banesën e të dyshuarit, në jug të Los Anxhelosit.
Trump tha se autoritetet besojnë që i dyshuari ishte veproi i vetëm dhe se nuk ka shenja të menjëhershme për ndonjë komplot më të gjerë apo lidhje të huaja.
Zyrtarët thanë se i dyshuari pritet të paraqitet në gjykatë më 27 prill për t’u përballur me akuza për armëmbajtje dhe sulm.
Trump u ka mbijetuar më parë tentativa për atentat, përfshirë një atentati gjatë një tubimi të fushatës në Pensilvani në vitin 2024.