Tiranë, 26 prill 2026 – Policia e shtetit njoftoi se makinës së gazetarit Sami Curri i është vënë zjarri të dielën në orët e para, në Bulqizë.
Policia tha se automjeti “Ford Fiesta” që ishte parkuar pranë banesës së gazetarit kështë përfshitë nga zjarri rreth orës 02:58 të 26 prillit. Një grup hetimor ka nisur punën për identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e rrethanave të rastit.
“Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon intensivisht veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të rastit, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, pasi paraprakisht dyshohet për djegie të qëllimshme,” deklaroi policia.
Gazetari Curri ka thënë se makina ndodhej rreth 30 metra larg pallatit ku banon dhe se për rastin ishte njoftuar nga fqinjët. Ai ka thënë se nga zjarri nuk janë dëmtuar automjetet tjera që ishin të parkuara pranë.
Ai e ka lidhur incidentin me aktivitetin e tij profesional, duke sugjeruar se zjarrvënia kishte për qëllim ta frikësonte për shkak të raportimeve të tij mbi çështje lokale në Dibër.
“Kjo gjëja është e qëllimshme dhe është totalisht me synimin për të sjellë një mesazh tek unë dhe për punën që bëj”, ka thënë ai.
“Por së pari, iu them që ata që e kanë bërë këtë veprim, as nuk do të më kërcënojnë ose frikësojnë dot, sepse për mua gazetaria është një mision që i shërben interesit publik dhe do të vazhdojë me çdo lloj çmimi,” ka shtuar Curri.
Gazetari Sami Curri e drejton median lokale “Bulqiza ime”. Gjatë karrierës së tij si gazetar, ai është marrë me çështje të pushtetit lokal, mjedisit dhe çështjet tjera që e prekin komunitetin.
Organizatat për mbrojtjen e gazetarëve reaguan ndaj incidentit, duke e cilësuar atë shqetësues dhe duke bërë thirrje për hetim të shpejtë dhe transparent.
(r.m.)