Prishtinë, 27 prill 2026 – Kryetarjas e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njëherësh ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës, ka njoftuar se për sonte në orën 20:30 është ftuar një seancë tjetër e jashtëzakonshme e Kuvendit për zgjedhje të presidentit të vendit.
Haxhiu, në një postim në Facebook, ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje i ka propozuar dy kandidate tjera për presidente të vendit – Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.
Feride Rushiti është drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, kurse Hatixhe Hoxha është doktorante në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës. Hoxha ishte deputete e Lëvizjes Vetëvendosje në dy mandate.
Rushiti dhe Hoxha janë propozuar për presidente pasi kandidatët e deritashëm, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha – Kollçaku, i tërhoqën kandidaturat e tyre në seancën e jashtëzakonshme që u mbajt pasdite.
“I ftoj që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në këtë seancë, në përputhje me obligimet e tyre kushtetuese”, ka njoftuar Haxhiu.
Postimi i plotë i Haxhiut:
Sot kam pranuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes VETËVENDOSJE! për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit, e cila do të mbahet sot në orën 20:30.
Në kuadër të kësaj kërkese janë propozuar dy kandidatura për President: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
I ftoj që të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në këtë seancë, në përputhje me obligimet e tyre kushtetuese.
(r.m.)