Shtyhet për orën 23:00 vazhdimi i seancës për zgjedhjen e presidentit

Prishtinë, 28 prill 2026 –Seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit është shtyrë për orën 23:0, vetëm një orë para skadimit të afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese për përmbylljen e procesit.

Nëse dështon edhe kjo përpjekje për zgjedhjen e presidentit të ri, do të bëhet shpërndarja e Kuvendit dhe vendi do të shkojë në zgjedhje të tjera të parakohshme.

Kjo do të jetë përpjekja e katërt e shumicës në Kuvend për të shtyrë përpara procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.

Tri përpjekjet e para dështuan për shkak të mungesës së kuorumit për votim, pasi në sallë nuk ishin të pranishëm së paku 80 deputetë sa duhet të jenë të pranishëm dhe të votojnë në raundin e tretë të votimit për president. Deputetët e partive opozitare e bojkotuan procesin e votimit për presidentin, për shkak se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk e përfilli kërkesën për propozimin e një kandidati konensual pa përkatësi politike.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e fajësoi opozitën për dështimin e dy përpjekjeve të sotme për sigurimin e kuorumit për votim.

“Në këto rrethana, për shkak të mungesës së opozitës dhe në përpjekje që ajo të jetë e pranishme në seancën për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, si për obligimet kushtetuese ashtu edhe për interesin publik, ju njoftoj se kjo seancë vazhdon sot në orën 19:00”, tha Haxhiu.

Derputetët e partive opozitare (PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe) nuk morën pjesë as në vazhdimet e seancës në orën 10:00, në orë 14:00 dhe në orën 19:00.

Kryeparlamentarja Haxhiu përsëriti disa herë thirrjen drejtuar deputetëve të opozitës që të marrin pjesë në seancë dhe në votim.

“I lus ata që të vijnë në këtë seancë, ku si pikë e rendit të ditës është zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

Haxhiu tha se detyrimi për pjesëmarrjen e deputetëve në punimet e Kuvendit buron nga aktgjykimi I Gjykatës Kushtetuese dhe Ligji për Deputetët.

Sipas këtij ligji, deputetët kanë obligim të marrin pjesë në seanca të Kuvendit dhe të njoftojnë Kryetarin për mungesat e tyre.

Haxhiu tha se e vetmja deputete që ka marrë leje për të mos qenë e pranishme sot është Afërdita Hajrizi, nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, e cila mungon për arsye shëndetësore.

Por, Gjykata Kushtetuese e kishte sqaruar çështjen e pjesëmarrjes së deputetëve në seancë dhe në votim më 2016, në rastin e zgjedhjes së ish-presidentit Hashim Thaçi. Atëherë Kushtetuesja kishte thënë se nuk është kriter kushtetues pjesë marrja dhe votimi i të gjithë deputetëve, por mjafton përmbushja e shumicës së përcaktuar në Kushtetutë prej dy të tretave apo 80 deputetëve.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvenditt ë Kosovës për zgjedhjen e presidentit të vendit u hap të hënën në mbrëmje, por dy vazhdimet e saj të para dështuan po kështu për mungesë të kuorumit.

Opozita e bojkotoi seancën pasi e kundërshtoi votimin për dy kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca dhe Fatmire Mulhaxha – Kollçaku. Ato bënë të qartë se nuk do të marrin pjesë në votim për asnjë kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje, por vetëem për ndonjë kandidat konsensual. Në këtë situatë Konjufca dhe Milhaxha – Kollçaku I tërhoqën kandidaturat e tyre.

Deputetët e opozitës nuk morën pjesë as në vazhdimin e dytë të seancës, në të cilën Lëvizja Vetëvendosje i propozoi dy kandidate të tjera për presidente: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.

Shumica e cilësuar parlamentare votoi për këto dy candidate, pavarësisht mungesës së kuorumit për votim të vlefshëm. Zonja Rushiti I mori 63 prej gjithsej 64 votave të hedhura në kutinë e votimit. Një votë u shpall e pavlefshme.

Tri partitë opozitare shqiptare e cilësuan si shkelje të rëndë të Kushtetutës votimin pa kuorumin kushtetues.

PDK-ka, LDK-ja dhe AAK-ja e akuzojnë kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se përmes procesit për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit po përpiqet të marrë nën kontroll të gjitha institucionet shtetërore të vendit.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e cilësoi si akt të rrezikshëm nisjen e procesit të zgjedhjes së presidentit të ri pa praninë e 80 deputetëve në sallë.

“Sot jemi përballë një akti të rrezikshëm për të ardhmen e shtetit tonë. Përpjekja për zgjedhjen e Presidentit në mënyrë të njëanshme dhe me shkelje flagrante të Kushtetutës është sulm ndaj shtetit të së drejtës, që minon rendin tonë demokratik”, tha Hamza.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, tha se seanca për zgjedhjen e presidentit as nuk mund të nisë dhe as nuk mund të vazhdojë tutje pa praninë e 80 deputetëve.

“Seanca e dytë as nuk duhet të mbahet dhe as të nisë sepse kjo seancë përfaqëson një vazhdim të sulmit ndaj institucionit më të lartë të Kosovës. Nuk do lejojmë të rrezikohet dhe dëmtohet më tej rendi kushtetues”, theksoi ai. 

(r.m.)

Comment

*