Prishtinë, 28 prill 2026 – Kreu i Lëvizjes Vetëvendfosje (LVV), Albin Kurti, tha se ka biseduar me kandidaten Hatixhe Hoxha dhe ajo ka shprehur gatishmëri të tërhiqet nga gara, nëse LDK-ja sjell 15 nënshkrime dhe emrin e kandidatit të saj për president.
“Kam komunikuar menjëherë me kandidaten Hatixhe Hoxha dhe kam biseduar me të dhe ajo është dakorduar të tërhiqet nga kandidatura, nëse LDK i sjell 15 nënshkrime për kandidaten e saj, kushdo që është. LVV ia plotëson edhe 15 nënshkrime të tjera nga mazhoranca dhe në këtë mënyrë do ta kishim një kandidat nga shoqëria civile dhe një nga LDK dhe sonte le ta zgjedhim presidentin apo presidenten”, tha Kurti, gjatë një adresimi për media në Kuvendin e Kosovës.
Por, ai tha se LDK-ja duhet të sjellë nënshkrimet dhe emrin e kandidatit dhe se lista duhet ta ketë datën e sotme.
“Mund të mos i kenë 15 nënshkrime, ndoshta i kanë 14 apo 13. Sa t’i kenë le t’i sjellin, veç të na i sjellin. Ne e plotësojmë numrin e nënshktrimeve për kandidatin… Nëse u mungon ndonjë s’e këqyrim për një e dy”, tha ai.
Megjithatë, Kurti nuk garantoi dhe as nuk premtyoi asnjë votë të grupit të tij parlamentar për kandidatin e LDK-së.
Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se ish-presidentja Vjosa Osmani mund të propozohet nga LDK-ja për një mandat të dytë. Por, ajo ka shprehur mosbesim ndaj deklaratave të Kurtit. Sipas saj, Kurti po kërkon nga LDK-ja të propozojë një kandidat të dytë, në mënyrë që presidente e vendit të zgjidhet Feride Rushiti.
“Kryetari Abdixhiku ka thënë se mund të jetë Vjosa Osmani dhe ne nuk kemi asnjë dilemë. Ajo që kemi dilemë është që ftesa ishte që të ketë një kandidat të dytë që t’i mundësohet kandidates të LVV-së që të zgjidhet presidente e Kosovës”, tha Lushaku-Sadriu.
Më herët, edhe kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se Kurti po kërkon kundërkandidate për Feride Rushitin.
LDK tha se nënshkrimet e prezantuara një ditë më parë nuk kishin emër, pasi për këtë paraprakisht duhet dakordim me LVV-në.
(r.m.)