Dështon zgjedhja e Presidentit. Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme

Prishtinë, 28 prill 2026 – Kosova do të shkojë përsëri në zgjedhje të parakohshme, të cilat duhet të mbahen në gjysmën e parë të qershorit.

Të martën në mesnatë skadoi afati i caktuar nga Gjykata Kushtetuese për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit të ri të vendit, por Kuvendi dështoi ta përmbushë këtë obligim kushtetues.

Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi shpërndahet me automatizëm dhe zgjedhjet e reja mbahen brenda 45 ditësh.

Zgjedhja e presidentit të ri të vendit dështoi për shkak të mungesës së konsensusit politik. Përpjekjet e orës së fundit për zgjedhjen e presidentit dështuan për shkak të mungesës së kuorumit për votim të vlefshëm për kandidatët për president.

Në seancat e dy ditëve të fundit morën pjesë vetëm deputetët e partive të koalicionit qeverisës. Deputetët e opozitës e bojkotuan seancën, me arsyetim se partia më e madhe në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, synonte ta merrte edhe pozitën e tretë drejtuese të shtetit.

Muajin e fundit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i pati disa takime me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, në të cilat u diskutua për zgjidhjen e ngërçit të procesit për zgjedhjen e presidentit. Por takimet nuk rezultuan me një marrëveshje për një kandidat konsensual.

Pavarësisht mungesës së konsensusit, Lëvizja Vetëvendosje i propozoi kandidatë për president Glauk Konjufcën dhe Fatmire Mulhaxha-Kollçakun. Ata u tërhoqën nga gara në seancën që u mbajt të hënën, sepse në Kuvend nuk kishte kuorum për votim kushtetues.

Pas tërheqjes së tyrer nga gara, Lëvizja Vetëvendosje i propozoi dy kandidatë të tjerë: Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën. Në një votim jokushtetues, me pjesëmarrjen e vetëm 64 deputetëve, Feride Rushiti i fitoi 63 vota, ndërsa një votë u shpall e pavlefshme.

Të martën u bënë disa përpjekje për krijimin e kuorumit për votim kushtetues, por deputetët e partive opozitare refuzuan të marrin pjesë në seancë pikërisht për të pamundësuar krijimin e kuorumit për votim kushtetues për presidentin e ri.

Gjatë ditësh, eksponentë të të dy kampeve politike e akuzuan njëri-tjetrin për dështimin e procesit për zgvjedhjen e presidentit, pra për shmangien e zgjedhjeve të reja të parakohshme.

(r.m.)

Comment

*