Rushiti: U kandidova për presidente për të ndihmuar për tejkalimin e ngërçit politik

Prishtinë, 28 prill 2026 – Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarave të Torturës, Feride Rushiti, e cila ishte candidate për pozitën e presidentes së vendit, tha se ajo ka pranuar të kandidohet për këtë pozitë që të ndihmonte tejkalimin e ngërçit politik që I ka bllokuar proceset në Kosovë prej mbi 15 muajsh.

“Dua të bëj të qartë se ky kandidim nuk ka qenë ambicie e as aspiratë për pushtet. Ishte vetëm përpjekje e sinqertë për një kontribut për vendim tim, që, si person jopartiak, t’i jap mundësi të largohet ngërçi politik të cilin po e kalon vendi”, tha Rushiti në një konferencë për medie, së bashku me kryeministrin Albin Kurti, të martën pas mesnate. 

Rushiti tha se kandidaturën për president e ka pranuar nga qytetarët, shoqëria civile, viktimat e dhunës seksuale, partnerët ndërkombëtarë dhe, së fundi, kryeministri Kurti. Ajo tha se ishte e bindur se do ta kishte edhe mbështetjen e opozitës në kuvend.

“Pasi e kam parë që janë konsumuar të gjitha mundësitë, pas shumë kërkesave që i kam marrë edhe nga qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë dhe nga kauza e të mbijetuarve të cilët i përfaqësoj, jam ulur dhe e kam konsideruar veten figurë unifikuese dhe me bindjen se vota e tyre (opozitës) nuk do të mungojë në Kuvend”, u shpreh ajo.

Rushiti tha se vendimin për të pranuar kandidaturën për presidente e mori të hënën pasdite.

Duke u përgjigjur në pyetjen se kush janë parnerët ndërkombëtarë që i zugjeruan të kandidohet, Rushiti tha se këto sugjerime i kanë ardhur nga Ambasada britanike në Kosovë dhe tregoi se edhe e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kosovë e ka uruar për “guximin” që të kandidohet për presidente.

Rushiti mohoi se ajo është bërë pjesë e kalkulimeve politike të Ablin Kurtit.

“Asnjë moment nuk e kam ndjerë veten që jam pjesë e kalkulimeve të kryeministrit Kurti. Thjesht unë e kam zgjedhur momentin e fundit, pasi e kam parë që janë konsumuar të gjitha mundësitë dhe propozimet që janë bërë nga qeverisja Kurti”, tha Rushiti.

E pyetur nëse do të jetë pjesë e listës zgjedhore të Lëvizjes Vedtëvendosje në zgjedhjet që do të mbahen së shpejti, ajo tha se do të vazhdojë punën në organizatën që e drejton që prej përfundimit të luftës në Kosovë.

“Angazhimi im tutje do të vazhdojë në organizatën time joqeveritare të cilën e përfaqësoj”, tha ajo.

Konferenca e Feride Rushitit u mbajt në hapësirat e Presidencës së Kosovë/

(r.m.)

Comment

*