Cilat do të jenë pasojat për ata që nuk paguajnë tarifat vjetore për azil politik

Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) ka shpallur rregulloren përfundimtare të përkohshme mbi zbatimin e tarifave dhe kërkesave të emigracionit sipas aktit ligjor H.R. 1 “One Big Beautiful Bill Act”. Kjo rregullore, përmbajtja e së cilës mbetet e hapur për rishikim, hyn në fuqi menjëherë. H.R. 1 ka futur tarifa të reja të cilat do të kontribuojnë në shtimin e fondeve për aktivitetet që synojnë vënien në zbatim të ligjeve të imigracionit, dhe do t’i bëjë aplikantët të paguajnë për shërbimet e emigracionit. Më 22 korrik 2025, Shërbimi i Nënshtetësisë dhe Emigracionit të SHBA-së (USCIS) publikoi në Regjistrin Federal një njoftim mbi vënien në zbatim të një tarife depozitimi për Formularin I-589, Application for Asylum and for Withholding of Removal, si dhe një Tarifë Vjetore për Azilin (AAF), e cila duhet të paguhet çdo vit kalendarik për sa kohë kërkesa për azil mbetet në pritje për shqyrtim.

Sipas rregullores përfundimtare në fjalë, nëse një aplikant nuk paguan Tarifën Vjetore për Azilin (AAF) brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit, USCIS-i do t’ia refuzojë kërkesën për azil që ka paraqitur. Nëse një individ nuk ka status të ligjshëm në Shtetet e Bashkuara, USCIS-i do të nisë gjithashtu procedurat e largimit të tij. Nëse USCIS-i i refuzon dikujt kërkesën për azil, bashkë me refuzimin do të ketë edhe pasoja të tjera si vijon: USCIS-i do të refuzojë çdo Formular I-765 (Aplikim për Leje Punësimi) që është në pritje për shqyrtim dhe që bazohet në kërkesën për azil; kurse personat që kanë marrë autorizim për të punuar gjatë kohës që kërkesa për azil ka qenë në pritje për shqyrtim, do ta humbasin menjëherë lejen e punësimit.

Gjithashtu, kjo rregullore do të vërë në zbatim edhe kërkesa të tjera të parashtruara nga akti ligjor H.R. 1 “One Big Beautiful Bill Act”. P.sh., lidhur me tarifën e depozitimit të Formularit I-589: nëse USCIS-i e refuzon Formularin I-589 për shkak se nuk është paraqitur siç duhet, atëherë, sipas rregullores, USCIS-i do ta mbajë tarifën e depozitimit të këtij formulari, pra nuk do t’ia kthejë aplikantit.

Autorizimi i punës në rastet e personave që kanë marrë Statusin e Mbrojtjes së Përkohshme (Temporary Protected Status – TPS): USCIS-i po përditëson rregulloret duke ua kufizuar periudhën e lejes së punës personave që kanë TPS, në një vit ose për aq kohë sa u zgjat statusi TPS, cilado syresh që është më e shkurtra.

Tarifa e depozitimit për Formularin I-102, Application for Replacement/Initial Nonimmigrant Arrival-Departure Document: përveç tarifave të tjera të kërkuara, rregullorja ka caktuar një tarifë minimale prej 24 dollarësh për paraqitjen e Formularit I-102. Rregulli hyn në fuqi më 29 maj, 2026. USCIS-i do të refuzojë çdo Formular I-102 që nuk shoqërohet me tarifën e duhur të depozitimit nëse data e vulës postare (postmarked) është 29 maj, 2026 e tutje. Gjithashtu, duke filluar nga data 29 maj, 2026, USCIS-i do t’ua refuzojë kërkesat për azil, që janë në pritje për shqyrtim, personave që nuk paguajnë Tarifën Vjetore për Azilin (AAF).

Një sqarim mbi politikat në fuqi që lidhen me marrjen e të dhënave biometrike për raste të ndryshme aplikimesh

Sipas rregullave aktuale mbi biometrinë, të dhënat biometrike mund t’i merren “çdo aplikanti, kërkuesi, sponsori, përfituesi ose cilitdo person që banon në Shtetet e Bashkuara për natyralizim dhe çdo përfitim nga emigracioni”. Biometria përfshin marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe fotografive për të bërë kontrollin e të kaluarës penale të një individi. USCIS-i thekson në mënyrë specifike se, megjithëse fotografitë mund të ripërdoren vetëm nëse janë bërë brenda 36 muajve të fundit nga data e paraqitjes së kërkesës për një përfitim të caktuar, aplikantët për Formularin N-400, Formularin N-600, Formularin I-485 dhe Formularin I-90 përjashtohen nga kjo politikë e ripërdorimit 36-mujor dhe u kërkohet “marrja e të dhënave të reja biometrike, si dhe një fotografi e re”. Këto rregulla hyjnë në fuqi menjëherë.

Kërkesa për regjistrimin e të huajve (Alien Registration Requirement – ARR).

Kërkesa më e fundit për marrjen e shenjave të gishtërinjve u vu nga administrata Trump në kuadër të kërkesës për regjistrimin e të huajve (Alien Registration Requirement – ARR). ARR-ja u kërkon të gjithë personave të moshës 14 vjeç e lart, të cilët po qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara për më shumë se 30 ditë, të regjistrohen dhe të japin shenjat e gishtërinjve; ndërsa ata nën moshën 14 vjeç duhet të regjistrohen nga prindërit e tyre dhe t’u merren shenjat e gishtërinjve brenda 30 ditëve nga ditëlindja e 14-të.

Çdo rast paraqet fakte dhe rrethane unike, dhe ky artikull vlen thjesht si udhëzues i përgjithshëm. Ky artikull nuk e zëvendëson konsultën individuale ligjore me një avokat që njeh mirë faktet dhe rrethanat që një person i caktuar ka paraqitur në çështjen e tij ose të saj. Ju bëjmë thirrje që për rastin tuaj konkret, të këshilloheni me një profesionist me përvojë në fushën e emigracionit. Qёllimi ynёёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: info@bothlaw.com

Comment

*