Pragë, 30 prill 2026 – Monedha e Iranit ka rënë në shkallën më të ulët kundrejt dollarit amerikan, pasi konflikti dymujor është duke e tronditur ekonominë e vendit, e cila veçse ka qenë e gjunjëzuar nga sanksionet.
Sulmet ajrore nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli në Iran, që nisën më 28 shkurt, së bashku me bllokadën detare amerikane ndaj porteve dhe anijeve iraniane, kanë ndërprerë eksportet jetike të naftës së Teheranit, kanë penguar prodhimin vendas dhe kanë rritur inflacionin.
Monedha kombëtare e Iranit, riali, ra në një nivel të ri të ulët prej 1.81 milion rialësh për një dollar amerikan më 29 prill, para se të rikuperohej ditën pasuese.
Sipas mediave iraniane, riali ka humbur gati 15 për qind të vlerës së tij në ditët e fundit.
Irani dhe Shtetet e Bashkuara arritën marrëveshje për një armëpushim më 8 prill, megjithatë Uashingtoni e rriti trysninë ekonomik duke vendosur bllokadë detare më 13 prill.
Kjo bllokadë ia ka bërë edhe më të vështirë Teheranit forcimin e valutës së vet përmes eksporteve.
Sipas Bankës Qendrore të Iranit, inflacioni vjetor, i cili ishte mbi 40 për qind para luftës, u rrit në 50 për qind deri më 4 prill.
Iranianët thonë se çmimet e produkteve bazë si orizi, vezët dhe pula, janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i konfliktit.
Rritja e inflacionit ishte një nga faktorët që shkaktoi protesta mbarëkombëtare në janar, të cilat përbënin një nga kërcënimet më të mëdha për Qeverinë klerikale të Iranit që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.
Autoritetet iu përgjigjën protestave me forcë të paparë më herët, duke vrarë mijëra njerëz, sipas grupeve për të drejtat e njeriut.
Edhe Irani gjithashtu ka tentuar t’iu shkaktojë dëme të mëdha ekonomike Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre.
Teherani iu përgjigj sulmeve ajrore SHBA-Izrael duke mbyllur praktikisht Ngushticën e Hormuzit, e cila është rrugë jetike detare për furnizimet globale të naftës dhe gazit.
Ky veprim ka tronditur tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe ka destabilizuar ekonominë globale.
Më 29 prill, çmimi i naftës Brent u rrit me gati 7 për qind, duke kaluar mbi 126 dollarë për fuçi. Kjo është rritja më e lartë qëkurse Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në vitin 2022.