Vjosa Osmani do të garojë bashkë me LDK-në në zgjedhjet e 7 qershorit

Prishtinë, 5 maj 2026 – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë të martën se me ish-presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, janë pajtuar të garojnë në një listë të përbashkët në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Megjithatë, ai ka thënë se marrëveshja nuk është finalizuar ende dhe se ajo duhet të miratohet formalisht në mbledhjen e këshillit të Përgjithshëm të partisë që do të mbahet të shtunën.

“Votuam dhe u dakorduam që të formalizojmë tash e tutje, në bashkëpunim me Vjosa Osmanin, garimin e përbashkët në zgjedhjet e ardhshme. Po për këtë, më jepni edhe disa ditë t’i finalizoj diskutimet edhe me zonjën Osmani, për të përfunduar në një votim formal në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm”, ka thënë ai.

Abdixhiku nuk është përgjigjur në pyetjen nëse zonja Osmani do të rikthehet në LDK si anëtare e partisë apo ajo do të bashkëpunojë me LDK-në me një parti të saj.

Sipas burimeve të gazetës “Illyria” brenda LDK-së, Vjosa Osmani do t’i ketë kandidatët e saj në listën zgjedhore të LDK-së. Madje, dihet edhe sa kandidatë do t’i ketë ajo ndër 20 kandidatët e parë të listës së LDK-së.

Vjosa Osmani ka paralajmëruar se do të jetë pjesë e garës zgjedhore në qershor. Por, as ajo nuk ka treguar se do të rikthehet në LDK apo do të garojë me ndonjë subjekt tjetër politik.

Pas përfundimit të mandatit të presidentes së vendit, Zonja Osmani ka realizuar takime të shumta me qytetarë anembanë Kosovës. Të hënën, ajo e ka prezantuar kandidaten e parë për deputete, duke lënë të kuptohet se ajo do ta ketë listën e vet të kandidatëve për deputetë, Fahrije Hotin nga Krusha e Madhe.

Ajo ka thënë se zonja Hoti,“po i bashkohet rrugëtimit tonë politik, sepse ne besojmë në një Kosovë ku dashuria e mund urrejtjen, integriteti dhe puna e ndershme e mundin manipulimin, dhe e vërteta e mund propagandën”.

Fahrije Hoti është aktiviste e njohur për fuqizimin e grave kryefamiljare, burrat e të cilave janë vrarë gjatë luftës në Kosovë. Ajo është themeluese e një kooperative të suksesshme në Krushë të Madhe, ku janë punësuar shumë gra kryefamiljare nga Krusha e Madhe e rrethina.

(r.m.)